Gjuajtja me vezë për Fisnik Ismailin: Dikur “protestë për pakënaqësi”, tash “fashizëm i lodhtë” (FOTO)

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismaili, tash deputet i Partisë Socialdemokrate, duket se i ndërron qëndrimet politike sa herë që i ndërron edhe partitë.

Pasi aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje dje e gjuajtën me vezë, të cilat goditën aksidentalisht bashkëshorten e tij, deputeti Ismaili reagoi ashpër duke thënë se gjithmonë i ka kundërshtuar këto veprime përbrenda dhe madje kur e kanë urdhëruar në Kuvend që ta gjuaj me vezë Isa Mustafën, ai nuk ka pranuar.

Madje, aktivistët e Vetëvendosjes tash i quajti edhe fashistë të lodhtë, transmeton Ballkani.info.

Por, krejt ndryshe i kishte arsyetuar këto veprime të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje kur me vezë ata i gjuanin figurat politike të PDK-së dhe LDK-së në qeverisjen e kaluar.

“Të mirremi vesh: arsyeja pse historikisht në shenjë proteste hudhen vezë e domate është me shprehë pakënaqësinë, pa e lëndue fizikisht personin që po e gjuen. Kjo praktikohet qe qindra vjet gjithandej nëpër botë”, kishte shkruar Ismaili më 6 tetor 2015.

Më herët përpos që u jepte përkrahje publikisht veprimeve të tilla, ai edhe i arsyetonte, kurse tash të njëjtin veprim që asokohe “shprehte pakënaqësi ndaj personit që gjuhej” po e konsideron edhe “fashizëm të lodhtë”. /Ballkani.info./