Sekretari i PDK-së, Betim Gjoshi, ka reaguar ndaj videos së kryeministrit Albin Kurti, i cili në mënyrë të çuditshme flet për arsyet që kanë çuar në tërheqjen prej zgjedhjeve të fundit në veri të politikanit serb Aleksandër Jabllanoviqit.

Ai ka thënë se kryeministri Kurti e ka degraduar postin e Kryeministrit.

Sipas tij, tani edhe Jabllanoviq po tallet me të.

“Albin Kurti, gjatë opozitarizmit të tij e kishte rrotulluar Kosovën në kërkim të shkarkimit të Aleksandër Jabllanoviqit, i cili i kishte fyer rëndë nënat nga Gjakova. Por, tani si kryeministër, deklaroi se ka qenë i gatshëm që ta pranonte të njëjtin Jabllanoviq si kryetar të Leposaviqit. Ende pa u bërë një javë nga deklarata e mësipërme, Kurti, siç e pranoi edhe vet, bëri një paraqitje skandaloze duke u mbështetur në thashetheme dhe jo në fakte. Kjo qasje joserioze e Kurtit, i dha mundësinë Jabllanoviqit që të tallet publikisht me të”, ka shkruar Gjoshi.

Sipas tij, deklarimet e Kurtit janë fyese për institucionet e Kosovës.

“Deklarata e sotme e Kurtit e degradon postin e kryeministrit dhe e bënë zyrën e tij një institucion që mbështetet në thashetheme e fjalë të kafeneve. Gjithashtu, kjo deklaratë, fyen punën e institucioneve tjera shtetërore dhe sidomos atyre të sigurisë/drejtësisë. Në fakt, e gjithë karriera politike opozitare e Kurtit është e mbështetur në thashetheme të tilla, konspiracione e shpifje për kundërshtarët politikë shqiptar”, ka shkruara ai.