Gjorgjeviq: Pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk ka përparim të Serbisë

Sociologu dhe profesori universitar në Serbi, Miodrag R. Gjorgjeviq thotë se pa njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk ka përparim të Serbisë.

Në një shkrim për gazetën Beogradit, “danas” ai ka thënë se Kosova tash e 20 vjet funksionin jashtë kuadrit ligjor të Serbisë dhe në këtë e ka përkrahjen e vendeve më të fuqishme perëndimore.

Këto vende, sipas tij, nuk do ta ndryshojnë qëndrimin ndaj Kosovës por vetëm do të theksojnë se Serbia e Kosova duhet të bisedojnë e bashkërisht ta arrijnë kompromisin për njohje së ndërsjellë, transmeton Koha.net.

Duke përmendur marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 të nënshkruar nga Ivica Daçiqi dhe Hashim Thaçi, Gjorgjeviq përkujton se atë marrëveshje e kanë kundërshtuar përfaqësuesit serbë të Kosovës dhe Kisha Ortodokse serbe.

Sipas tij, marrëveshjen po e kundërshton edhe udhëheqja aktuale serbe pasi që ajo po përsërit vazhdimisht se “Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën”.

Gjorgjeviqi mendon se shtyrja e zgjidhjes së kontestit ndërmjet Kosovës e Serbi , ka ndikuar që qytetarët e Serbisë të kenë raport negativ ndaj udhëheqjes aktuale serbe, opozitës por edhe ndaj serbëve të Kosovëç.

“Qëndrimet e pushtetit serb ndaj Kosovës nuk dallojnë nga ato të opozitës në Serbi”, thotë Gjorgjeviqi i cili shfaq habinë pse Vuqiq lidhur me Kosovën e fajëson gjithmonë opozitën.

Në vazhdim profesor përmend fakte historike duke përkujtuar se humbësi i luftës gjithmonë humb edhe territore dhe se duhet pajtuar me këtë. Këtë fakt ai e ilustron me Austrinë e Hungarinë në Luftën e Parë Botërore kur Austria kishte humbur 60 për qind të territorit e Hungaria 75 për qind të tij.

“ Serbia gjatë shpërbërjes së ish – Jugosllavisë u pajtua shpejt me pavarësimin e Malit të Zi edhe pse e humbi daljen në det, por ende nuk u pajtua me shkëputjen e Kosovës. Në luftën me NATO-n, Serbia e ka nënshkruar kapitullimin në vitin 1999 në Kumanovë duke humbur 12% të territorit dhe rreth 1,5% të popullatës. Në vend që t’i pranojë rregullat e përjetshme të luftës dhe të pajtohet me realitetin e pakthyeshëm, Serbia është përcaktuar të kërkojë kompromisin e pamundshëm me shqiptarët! Me këtë përcaktim, gjatë 20 vjetëve të shkuar, aq kohë sa po zgjat kriza e Kosovës, Serbia nuk ka fituar asgjë, përkundrazi ka pësuar vetëm humbje shumë të mëdha”, ka shkruar ndër të tjera Gjorgjeviq.