Në seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj tre zyrtarëve komunalë të Deçanit, Ramë Melaj, Jashar Hulaj dhe Halil Tolaj, për shkak të mungesës në seancë, Gjykata iu shqiptoi gjobë nga 500 euro tre mbrojtësve të të akuzuarit Tolaj.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova shqiptoi gjobë ndaj tre mbrojtësve të Tolajt, avokatëve Mehmet Berisha, Rafet Ferizi dhe Florian Fetahu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjyqtarja Husaj-Rugova tha se avokati Berisha në mëngjes kishte kontaktuar me zyrtaren ligjore të zyrës së saj, ku e ka njoftuar se nuk do mund të marrë pjesë në seancë për shkaqe familjare, mirëpo këtë ajo tha se nuk e ka dokumentuar me prova.

Por gjyqtarja tha se sipas shkresave të lëndës, krahas avokatit Berisha si mbrojtës i parë ishte edhe avokati Florian Fetahu, si dhe autorizim kishte edhe avokati Rafet Ferizi.

Me këtë rast, gjyqtarja Husaj-Rugova tha se avokatët nuk janë dakorduar që njëri të marrë pjesë në seancë, andaj iu shqiptoi gjobë nga 500 euro tre avokatëve, me arsyetimin e prolongimit të seancës.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca u shty për të vazhduar në qershor.

Zyrtarët e Komunës së Deçanit, Ramë Melaj, drejtori i Urbanizmit, Halil Tolaj, drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit dhe Jashar Hulaj, shef i sektorit për Inspekcion, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 12 shtator të vitit 2022 ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat e Prokurorisë së Pejës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 18 korrik 2022, i pandehuri Ramë Melaj akuzohet se më 3 mars 2020, në objektin e Komunës së Deçanit, në cilësinë e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/projektit nga BE-ja në shumë prej 170 mijë euro, për organizatën “Shtëpia Alpike”, me përfaqësues Jeton Berisha.

Sipas aktakuzës, i pandehuri duke vepruar në kundërshtim me nenin 4 të Ligjit për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për ndërtim, lëshon vendimin nr. 04.nr.6082/1 për lejimin e ndërtimit të objektit të qendrës turistike në “Bjeshkët e Nemuna”, ashtu që i pandehuri me rastin e pranimit të kërkesës nga Drejtoria për Ekonomi dhe Zhvillim në Komunën e Deçanit, lëshon lejen në fjalë me të cilën ia mundëson dhe lejon organizatës ndërtimin e objektit të qendrës turistike në ngastrën kadastrale Isniq, në pasuri shoqërore, pronë kjo nën administrim të AKP-së, e cila shtrihet në zonën e parkut kombëtar, me të cilën menaxhon MMPHI-ja e për të cilën ngastër nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi pa miratimin e Planit Hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”.

I pandehuri po ashtu akuzohet se kishte nxjerrë vendim për leje mjedisore komunale në bazë të kërkesës së përfaqësuesit të autorizuar të OJQ “Kosovo Montain Club”, Adriatik Gacaferri për lejimin e zbatimit të projekteve të tyre “Zhvillimi i shtegut të ngjitjes Sportive –Via Ferata Deçan”, si dhe “Shtegu për ngritje në faqe shkëmbore në Gryken Deçanit”.

Sipas akuzës, nxjerrë vendim për leje mjedisore që mundëson OJQ-së zbatimin e projektit në dy ngastra kadastrale- pasuri shoqërore nën administrim të AKP-së në zonën e parkut kombëtar me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon MMPHI-ja dhe për të cilën nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi në mungesë të miratimit të planit hapësinor të zonës së veçantë për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”.

Në dispozitivin e tretë, i pandehuri ngarkohet se kishte keqpërdorur duke tejkaluar kompetencat e tij si drejtor i Urbanizimit me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore/grantit nga BE-ja, në shumë prej 323 mijë e 160 euro për personin Bashkim Ahmetaj.

Sipas akuzës, i pandehuri lëshon pëlqimin për aplikim dhe ndërtim të objektit me etazhitet B+P+1, ndërtimin e 24 bujtinave dhe hapësirave për montimin e lojërave rekreative, kjo duke vepruar sipas kërkesës së parashtruar nga i lartcekuri për ndërtimin në ngastrën kadastrale me nr.209/0 ZK Isniq, pronë e të njëjtit, me të cilën ia mundëson zbatimin e projektit të sipërshënuar në zonën e parkut kombëtar, me të cilën zonë në bazë të ligjit menaxhon MMPHI-ja dhe për të cilën nuk mund të lëshohet asnjë lloj vendimi në mungesë të miratimit të Planit Hapësinor të zonë së veçantë për Parkun Nacional “Bjeshkët e Nemuna”.

Kurse në dispozitivin e katërt, i pandehuri ngarkohet se ka lëshuar vendimin për ndërtimin e objektit afariso-banesor për subjektin ekonomik “Lika Trade”, SHPK, me pronar Jahir Likaj, duke qenë në dijeni se kushtet për ndërtim nga PRRU-ja dhe për marrëveshjen paraprake të datës 15 nëntor 2011 e lidhur me Komunës së Deçanit dhe investitorit “Gogaj AG”, si dhe duke qenë nënshkrues i aktvendimit me nr. 04. 167/1, i datës 28 janar 2013 si dhe kushteve të lokacionit për ngastrën nr.1073/1 PSH e Komunës së Deçanit, me përfitues subjektin ekonomik “Gogaj AG”, edhe përkundër kësaj i njëjti lëshon vendimin për leje ndërtimore me përfitues subjekti ekonomik “Lika Trade”, të cilit ia mundëson ndërtimin e objektit afaristo-banesor në ngastrën e njëjtë, e me vlerë inventive prej 24 mijë e 134 euro e 17 centë.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2 e lidhur me par.1 të KPRK-së.

Të pandehurit Halil Tolaj dhe Jashar Hulaj ngarkohen se më 11 shkurt 2019 e në vazhdimësi deri më sot, në bashkryerje nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim që të përfitojë personi tjetër.

Sipas akuzës, i pandehuri Halil si drejtor i Inspekcionit në Deçan dhe i pandehuri Hulaj si shef i sektorit për Inspekcion në këtë komunë, nuk ndërmarrin veprimet e nevojshme për të zbatuar inspektimin sipas detyrimeve ligjore, duke i mundësuar ndërtimin e tre kateve shtesë dhe katit tërheqës në objektin afaristo-banesor “Lindi Residence”, që sipas lejes ndërtimore i lejohej ndërtimi me etazhitet B+P+3K. Përkundër që kanë qenë në dijeni për këtë fakt sipas inspektimit të datës 5 mars 2021 dhe inspektimit të datës 11 qershor 2021, ku edhe janë vënë shiritat për mbyllje të vendpunimit, si ndërtime të kundërligjshme, e që të njëjtit sipas detyrës zyrtare kanë qenë të obliguar të marrin vendim për rrënim, mirëpo nuk veprojnë në këtë drejtim duke i mundësuar që investitori të vazhdojë me punime ndërtimore të kundërligjshme, duke përfunduar objektin afarit-banesor, duke i mundësuar përfitim përmes rritjes së sipërfaqes rreth 2500m2.

Me këtë, bashkryerje ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2 e lidhur me par.1, nenin 31 dhe 77 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi