Gjoba të ashpra për bizneset pa kushte të sigurisë

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi ku po flitet për sigurinë në punë tha se këtë vit ata kanë paralajmëruar gjoba më të ashpra ndaj bizneseve të cilat nuk ofrojnë siguri për punëtorët e tyre, raporton “Zëri.Info”

“Numri i inspektorëve është i vogël. Këtë vit unë kam paralajmëruar se do të ketë gjoba më shumë dhe më të ashpra. Ka gjoba 5 mijë 10 dhe 15 mijë euro. Rasti i fundit ka qenë kur pronari i kompanisë vetë ka rënë prej lartësisë. Çdo rënie prej lartësisë i bie qe punëtori nuk është i lidhur. Ne kemi raste kur kemi mbyllur përkohësisht biznesin derisa nuk i përmirëson kushtet në punë”, tha ai.

Sipas tij, pjesa më e madhe e ankesave për kushtet e punës këtë vit kanë qenë për sektorin privat.

“Mund të them se mbi 80% e ankesave janë nga sektori privat. Rritjen e ankesave vit për viti, ne po e shohim këtë si vetëdijesim të punëtorëve”, tha ai.

Ndërsa, anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Naser Rugova tha se shteti duhet të angazhohet më shumë në sektorin privat i cili sipas tij po u kushton qytetarëve me jetë.

“Duke e ditur shkallën e lartë të papunësisë në Kosovë rezulton se sektori privat është i pamonitoruar sa duhet. Shteti duhet të angazhohet me këtë sektor sepse po kushton me lëndime dhe me humbje jete. Unë do të bëja apel që në plotësim ndryshimin e ligjit ne të gjithë deputetët të angazhohemi. Dua të besoj se ky shtet duhet të gjejë mjete të nevojshme që Inspektoratin e Punës ta rregulloj njëherë e përgjithmonë. Nuk guxojmë që një vdekje në punë ta arsyetojmë se nuk kemi mjaftë inspektor”, tha ai.

Rugova kërkoi që të rritet vetëdijesimi i punëdhënësve dhe punëtorëve.