Gjithë klerikët fetarë çojnë letër në Speciale për lirimin me kusht të Thaçit, avokati jep detaje

Mbrojtja e Hashim Thaçit në Hagë është aktivizuar sërish në çështjen e kërkesës së refuzuar nga Dhomat e Posaçme të Apelit të Speciales për mbrojtjen në liri të ish-presidentit.

David Hooper, avokati amerikan i presidentit Thaçi ka akuzuar Gjykatësin Paraprak dhe Prokurorinë e Specializuar se kanë dështuar të vlerësojnë saktë rrezikun në kërkesën për mbrojtje në liri Thaçit. Hooper, në parashtresën e tij prej 10 faqesh dhe 18 pikash ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Gjykatësi francez i Procedurës paraprake kanë bërë gabim serioz në aludimet e tyre me rastin e refuzimit të kërkesës për mbrojtje në liri.

“Një pikë e rëndësishme nisjeje midis Mbrojtjes dhe ZPS-së është nëse Gjykatësi Paraprak artikuloi dhe zbatoi siç duhet standardin e duhur ligjor për vlerësimin e rrezikut në përcaktimin nëse kriteret e Nenit 41 (6) (b) ishin përmbushur. Mbrojtja, natyrisht, pranon që ky Panel ka vendosur që përcaktimi i domosdoshmërisë së paraburgimit sillet rreth vlerësimit të “mundësisë, jo pashmangshmërisë, të një ngjarjeje në të ardhmen”, pasi standardi i duhur çon automatikisht në skajin tjetër të spektrit, domethënë që çdo mundësi rreziku është e mjaftueshme, pa marrë parasysh sa e vogël. Thjesht duke përsëritur gjuhën e “mundësisë jo të pashmangshme”, Prokuroria dhe dhe Gjykatësi paraprak bien në të njëjtin gabim, duke qenë një dështim për t’u përfshirë dhe artikuluar masën e rrezikut që plotëson siç duhet pragun e “mundësisë”, thuhet në parashtresat e Hooper.

Hooper tutje argumenton se Gjykatësi Paraprak dhe Prokuroria e Specializuar nuk kanë artikuluar standardin ligjor se ku qëndron pragu i mundësisë për një ngjarje të mundshme që do të mund të ndodhte në të ardhmen, dhe e cila mund të binte ndesh me kushtet e ofruara për mbrojtjen në liri të Thaçit.

Kësisoj, ai thotë se në këtë formë është ndërhyrë ashpër në të drejtën për liri të klientit të tij.

“Adoptimi i së njëjtës gjuhë pa ndonjë përpjekje për të kalibruar ose futur në kontekst kuptimin e saj, përveç se “thjeshtuesi i dyshimit” nuk është i mjaftueshëm, zvogëlon standardin origjinal deri në pikën e të qenit i pakuptimtë. Paraburgimi do të justifikohej nga çdo lloj mundësie për një ndodhi në të ardhmen, edhe nëse është i papërfillshëm. Parashtrimi i SPO-së se “Gjykatësi Paraprak nuk artikuloi një standard ligjor jokonsistent ose të pasaktë” nuk arrin të përfshihet me gabimin e identifikuar. Në dështimin për të shpjeguar në mënyrë të përshtatshme se ku qëndron pragu i “mundësisë”, vlerësimi i Gjykatësit Paraprak përfshin një prag aq të ulët sa nuk mund të pajtohet me ashpërsinë e ndërhyrjes në të drejtën e lirisë”, thuhet tutje në argumentimin e Hooper, shkruan tutje lajmi.net.

Tutje, Hooper thotë se Gjykatësi i Procedurës Paraprake pa asnjë bazë konkrete, por vetëm duke u bazuar në hamendësime, konkludoi se ekziston rreziku se Thaçi mund të mobilizojë të ashtuquajturin rrjet mbështetësish të tij.

Madje Hooper thotë se këtë huqje të Gjykatësit Paraprak e evidentoi edhe Apeli.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar pohon se ishte “plotësisht e arsyeshme” për të konkludonte se Z. Thaçi mund të mobilizonte një rrjet mbështetësish “përfshirë ish vartësit dhe personat e lidhur me OVL-UÇK”. Problemi me këtë përfundim, i identifikuar në apel, është mungesa e plotë e provave që Z. Thaçi gëzon ndonjë ndikim ose kontroll mbi OVL-UÇK, e lëre më mbi kategorinë e paqartë të “personave të lidhur” me të. Gjykatësit Paraprak iu kërkua të identifikonte “baza konkrete” për të mbështetur gjetjen e tij, të tilla si shembuj të mëparshëm të ndërhyrjeve të mbështetësve mbi të cilat gjetjet e rrezikut të fluturimit ishin të bazuara në raste të tjera.Në mungesë të këtyre bazave konkrete, Gjykatësi Paraprak në këtë rast iu drejtua hamendjes së pastër. Ky mbetet një gabim, pavarësisht nga karakterizimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar si plotësisht i arsyeshëm”, thuhet tutje në ankesën e bërë nga Hooper.

Hooper madje argumenton se Thaçi, gjatë kohës që ishte president kishte edhe një rrjet shumë më të madh të përkrahësve, mirëpo asnjëherë nuk e përdori atë për të ndërhyrë në procedurë, por që sipas tij ai e bëri të kundërtën.

E letër mbështetëse për lirimin nga paraburgimi të Thaçit, kishin dërguar edhe klerikët fetarë në Kosovë.

Këtë të ditur e bën vet Hooper në parashtresën e fundit të tij, ku përmend kryetarët e Bashkësive Fetare Myslimane, Hebreje, Protestant dhe Peshkopit të Kosovës. Hooper thotë se kjo letër dëshmon më së miri për karakterin tolerant të Thaçit në aspektin e predikimit të besimeve të ndryshme fetare.

“Kjo ishte qartazi e pamjaftueshme. Të ashtuquajturat “sigurime të shkruara” ishin sigurisht shumë më tepër se kaq. Një letër e përbashkët nga Presidentët përkatës të Komunitetit Islamik të Kosovës, Komunitetit Hebre të Kosovës, Kishës Protestante Evangjeliste të Kosovës dhe Peshkopit të Kosovës të Dioqezës së Prishtinës flet për rolin e çmuar të Z. Thaçi në promovimin e tolerancës fetare në Kosovë, se ai trajtoi “të gjitha bashkësitë fetare me respektin maksimal për besimet, vlerat dhe traditat e tyre”. Duke iu referuar karakterit të tij të lartë moral dhe besueshmërisë, këta udhëheqës fetarë vërejnë mungesën e befasisë së tyre nga dorëheqja e Z. Thaçi dhe dorëzimi në ZPS, të cilën ata e konsideruan në përputhje me karakterin e tij. Kjo është një provë e fuqishme që një Gjykatës i arsyeshëm do ta konsideronte si zvogëlues rreziku i paraqitur nga z. Thaçi, dhe i cili mungonte tërësisht në konsideratën e Gjykatësit Paraprak”, thuhet tutje në këtë parashtresë.

Një ankesë të natyrës së njëjtë, tri ditë më vonë se kjo e Thaçit e ka dërguar në gjykatë edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.