Gjithçka që duhet të dini rreth ‘Koronavirusit’ – Cilat janë simptomat dhe si duhet të mbrohemi?

Sonte në një konferencë për shtyp, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e konfirmoi se po dyshohet se një pacient në QKUK është infektuar me ‘Koronavirus’.

Deri më tani ky virus ka qenë më shumë i përhapur në Kinë

Çka duhet të dimë rreth ‘Koronavirusit’?

Korona virusi qarkullon në kafshë, dhe disa prej korona viruseve kanë aftësinë të transmetohen nga kafshët tek njeriu. Tashmë është vërtetuar që koronavirusi transmetohet edhe nga njeriu tek njeriu.

Cilat janë simptomat e virusit kinez?

Simptomat varen nga virusi, por shenjat e zakonshme përfshijnë simptomat e aparatit të frymëmarrjes: ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindrom të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje.

Deri më tani nuk ka dalë ndonjë vaksinë për këtë lloj të virusit pasi që është sëmundje e re.

Aktualisht nuk ka një trajtim specifik për sëmundjet e shkaktuara nga koronavirusi. Megjithatë, shumë nga simptomat mund të trajtohen në varësi të gjendjes klinike të pacientit.

Rekomandime të Organizatës Botërore të Shëndetësisë:

1. Bazuar në mundësinë e transmetimit nga njeriu tek njeriu ka një rrezik për impakt serioz në shëndetin publik.

2. Ky virus nuk është identifikuar më parë tek njerëzit dhe hetimet e para në Kinë nuk e kanë përcaktuar akoma burimin e shpërthimit epidemik; pra kemi të bëjmë me një situatë jo të zakonshme dhe të papritur.

3. Numri i rasteve të konfirmuara vazhdon të rritet në Kinë, teksa raste të ngjashme janë evidentuar në vende të tjera, dhe duke qenë se është dhe Viti i Ri kinez rreziku i importimit jashtë këtij territori është i lartë. Shumë vende kanë vendosur masa në aeroporte kur kanë lidhje direkt me Kinën, si vlerësim elektronik i temperaturës apo intervista me udhëtarët që vijnë nga Kina. Pra, kemi rrezik për përhapje ndërkombëtare (nisur edhe nga raste te importuara).

4. Në lidhje me interferencën me udhëtimet dhe tregtinë ndërkombëtare OBSH-ja nuk rekomandon ndonjë kufizim të udhëtimeve dhe/ose tregtisë bazuar në informacionin që posedon aktualisht.

Për të mbrojtur nga ky virus rekomandohet që:

-Masa bazike të higjenës së duarve, siç është larja e duarve me ujë dhe sapun

-Higjiena respiratore, si psh. kur teshtini, përdorni bërrylin apo shami

-Shmangia e kontakteve të ngushta me çdo person që shfaq simptoma të sëmundjeve respiratore, si kollë apo teshtitje.

-Mënjanimet e kontakteve të panevojshme me kafshë të gjalla apo produket e tyre dhe larja e duarve pas prekjes së tyre

Aplikimi i praktikave të higjienës ushqimore. Sigurohuni që mishi është gatuar mire para se të konsumohet.