Gjithçka gati për zgjedhjet në komunat veriore

57 mijë e 983 persona kanë të drejt vote në zgjedhjet për kryetar të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçani dhe Mitrovicë të Veriut që do të mbahen nesër.

Të gjitha do këta mund të votojnë që nga ora 7:00 e mëngjesit deri në 19:00 në 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime.

Votuesit do të kenë mundësi të zgjedhin ndërmjet kandidatëve të Partisë Demokratike e Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se tashmë gjithçka është gati, përpos materialit sensitiv i cili do të shpërndahet nesër herët në mëngjes nën përcjelljen e policisë

Sikurse edhe në proceset e kaluara zgjedhore, votimet do të vëzhgohen dhe monitorohen nga mediat, organizata vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe Bashkimin Europian si dhe disa ambasada të vendeve të ndryshme në Kosovë.

Në ndërkohë, për mbarëvajtjen e këtij procesi sa i përket aspektit të sigurisë është angazhuar Policia e Kosovës, kurse për luftimin e parregullsive dhe manipulimeve, janë angazhuar edhe shumë prokurorë.

Zgjedhjet në katër komunat veriore po mbahen pas dorëheqjes së kryetarëve të tyre në nëntor të 2018-ës.