Ndarjen e nga 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët për fundvit nga Qeveria e Kosovës, panelisti i emisionit “Konfront” në KTV, Rron Gjinovci, e ka cilësuar si improvizim.

Ai i ka quajtur “gurabi” ndarjen e nga 100 eurove për këto dy kategori.

“Nga një gurabi të gjithëve dhe 40 milionë euro tjera i ka çuar në Ushtri. Po investon në dy sende: Po e mirëmban mbështetjen popullore sepse 200-300 euro janë shumë për të varfrit, por për familjet që qëndrojnë më mirë mund të jetë lehtësi e të pasurit edhe mund të përtojnë t’i marrin”, ka thënë ai të enjten.

Sipas Gjinovcit, Qeveria “kursen tërë kohën me qëllimin, që në çfarëdo varianti të fitojë me Serbinë, pa e shmangur luftën”.

“E kam vërejtur se njerëzit nuk po e shohin se kjo Qeveri po përgatitet edhe për atë send. Po gjuan para në armë, e s’po investon kurrkah tjetër. Duhesh veç kështu me jep pare, se s’ki qysh tjetër. Nëse i rrit pensionet, duhesh me i rritë për të gjitha vitet në vazhdim. Kjo metoda e tyre e kursimeve është saktësisht për këtë lloj politike, të investohet në Ushtri, të përgatitet për luftë nëse ka nevojë e të mirëmbahet përkrahja popullore. Kjo s’është e majtë e as e djathtë. Është improvizim. E majta ka planifikime e planifikime, i rrit pensionet, krijon skema sociale sepse e ka ashtu ideologjinë, por kjo është improvizim. Arsyeja pse në Kosovë ndihmat nuk jepen në mënyrë të shtresuar është sepse Qeveria s’di të prodhojë politika, sepse Kosova nuk mbledh informacione. Ne kemi krizë kombëtare të mungesë së informacioneve”, ka shtuar ai.