Gjini për mungesën e vaksinave: Nuk kam pritur më shumë nga kjo qeveri

Kryetari i Gjakovës dhe nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka komentuar situatën me vaksina dhe atë që është raportuar se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka hezituar të nënshkruajë një kontratë për blerje të vaksinave.

Gjini në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, tha se nuk ka pritur më shumë nga Qeveria Kurti 2.

“Është situatë jashtëzakonisht e keqe, shkakton frikë të njerëzit, është gabim se si sillet qeveria. Në takimin e kryetarëve të komunave, ku isha edhe unë pjesëmarrës, me ministrin Vitia, nuk kemi marrë një konfirmim se kur mund të ketë vaksina për qytetarët tjerë, pos këtyre që kanë ardhur e që janë shumë pak. Në të njëjtën kohë mënyra e komunikimit, e reagimit pas informatave se Vitia ka dështuar të nënshkruajë kontratën, është shumë e keqe, ka elemente serioze antiplurasiste të qeverisë ndaj raportimit medial. Nuk kam pritur më shumë, ajo që është problematike, është thjeshtëzimi i problemeve. Unë po besoj që qeveria e Kosovës është një vazhdimësi, ministrat ndërrohen, por duhet të ketë vazhdimësi”, ka thënë Gjini.