Gjini për Kusari-Lilën: Kundër meje i ka humb tri raunde, do ta humbë edhe të katërtin

Kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjakovës do t’i nënshtrohen edhe njëherë procesit zgjedhor për shkak se kanë shkuar në balotazh nga raundi i parë.

AAK-ja ka marrë 45.96 përqind të votave, ndërsa VV-ja 37.13 përqind të votave.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini tha se janë të kënaqur edhe me këtë rezultat për shkak se siç tha ai, janë partia më e madhe në Gjakovë për asamblenë komunale.

“Detyrimisht duhet të jemi të kënaqur, kemi fituar edhe për asamble, jemi partia më e madhe në Gjakovë për asamblenë komunale, është lajm i mirë. Jemi fitues në raundin e parë edhe për kryetar komune, të gjithë do të dëshironim që të ishte mbyllë që në raundin e parë, por do ta mbyllim në raundin e dytë besoj pa asnjë problem” tha Gjini, njofton Klan Kosova.

Ai gjithashtu u shpreh i bindur se në raundin e dytë do ta mposhtë kandidaten e VV-së për Gjakovën, Mimoza Kusari-Lilën.

“Deri më tani, zonja Kusari-Lila që 12 vite garon në Gjakovë, prej këtyre 12 viteve vetëm kundër meje i ka humbur tri raunde dhe do ta humb edhe të katërtin”, u shpreh ai.

Tutje, Gjini tha se do të vazhdojë të punojë që Gjakova të jetë qytet model.