Gjini: Kurti deshi të vendosë autoritet të plotë në Qeveri dhe ta ulë LDK-në

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, rrëzimin e Qeverisë e ka quajtur kalkulim të kryeministrit tashmë në detyrë, Albin Kurti.

Sipas tij, me shkarkimin e Veliut, Kurti duhet ta ketë llogaritur një situatë të tillë, ndërkaq arsyet pse ai mund të ketë dashur ta rrëzojë Qeverinë e tij, ai thotë se nuk i di.

Gjini tutje ka shtuar se Kurti ka dashur të vendosë autoritet të plotë në Qeveri, ta ulë LDK-në dhe ta shkarkojë Veliun.

“Betejat politike nuk janë ndalur askund në botë. Politika nuk ndalet për shkak se nuk ka logjikë me u ndalë. Te rënia e Qeverisë, unë besoj që Kurti ose nuk ka qenë i aftë të bëjë kalkulime politike kur e ka shkarkuar Veliun, ose e ka bërë me vetëdije të plotë. Nëse ka kalkuluar saktë, atëherë e ka marrë atë çka ka dashur, nëse ka gabuar atëherë i ka bartë pasojat. Ai ka dashur edhe të vendosë autoritetin e plotë në qeveri, ta ulë LDK e ta shkarkojë Veliun”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se “shkrepësja” e rrëzimit të Qeverisë ishte shkarkimi i Agim Veliut nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme.

Sipas tij, i pari i Qeverisë në detyrë me shkarkimin e Veliut, ose ka dashur të shkaktojë krizë të brendshme ose ta rrëzojë Qeverinë.

“Në çdo konflikt ekziston diçka që e ndezë situatën. Ndezja ka qenë shkarkimi i Veliut. Unë e kam ditë që atë moment që është shkarkuar Veliu, ajo qeveri do të prishet. Kurti e ka ditur se kjo do të ndodhte. Mundet me pas shumë arsye pse Kurti e ka shkarkuar Veliun dhe e ka prishur Qeverinë. Kjo është shkrepësja e rënies së qeverisë. Kurti është dashur ta dijë që këtë kohë nuk është dashur të bie qeveria. Ose ka dashur të shkaktojë krizë ose me rënë qeveria”, ka thënë ai.