Gjimnazistët protestojnë pas rastit të sulmit seksual në shkollën “Faik Konica”

Ka nisur marshi protestues “Traumë, jo Lojë”, i cili është organizuar kundër ngacmimit seksual të një të miture, nga dy të mitur të tjerë në shkollën “Faik Konica”.

Në këtë marsh po marrin pjesë nxënësit e tri gjimnazeve kryesore të Prishtinës.

“Barazi, siguri, arsim”, “Tu pa, tu bo”, “Stop ngacmimeve seksuale”, “Trupi im, vendim im, o jeta ime”, ishin disa nga parullat që kanë mbajtur protestuesit.

Ndryshe, para disa ditëve në media është publikuar një video, sipas së cilës pretendohet se ka ndodhur një rast i abuzimit seksual në mes të nxënësve në oborrin e një shkolle në kryeqytet.

Në njoftimin e Policisë thuhet se nga zyrtarët e shkollës Policia ka pranuar një informacion me ndjeshmëri, i cili është trajtuar në koordinim me drejtuesit e shkollës, zyrtarët e Qendrës për punë dhe mirëqenie Sociale si dhe Prokurorin e shtetit.

“Për shkak të moshës së personave të përfshirë në këtë ngjarje dhe rrethanave specifike, me rekomandim të prokurorit, rasti po trajtohet nga Qendra për punë dhe mirëqenie sociale”, thuhet në njoftim.

Për rastin kanë reaguar edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës.