Gjimnazi në Prizren i del kundër Rrahman Jasharajt, zbaton vendimin e MASHTI-it

Gjimnazi “Gjon Buzuku” në Prizren ka njoftuar se do të respektojë vendimin e MASHT-it për fillimin e mësimit më 1 shtator, pavarësisht se kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se greva do të vazhdojë.

“Duke u bazuar në njoftimin e MASHTI-it dhe në Kalendarin për Vitin shkollor 2022/23, ju njoftojmë që Procesi mësimor për vitin shkollor 2022/2023 do të fillojë me 01.09.2022.

Ne si shkollë i kemi bërë të gjitha përgatitjet për fillim të mbarë të vitit shkollor”, shkruhet në njoftimin e tyre.

Tutje bëhet e ditur se mësimi i paradites do të fillojë nga ora 08:00 kurse ai i pasdites nga ora 13:30.

Ministri Hekuran Murati, në një konferencë për media ka deklaruar se grevistëve dhe mësimdhënësve nuk u janë ekzekutuar fare pagesat.

“Sot është bëtë vetëm pjesërisht ekzekutimi i pagave, për shkak se procesimi dhe përgatitja e llogaritjes së pagave merr kohë. Mirëpo siç e dini që greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK, ka kriju nevojën që të procesohen edhe llogaritjet nga ato organizata buxhetore që ndikohen nga greva e shpallur dhe marrë parasysh që sipas ligjit detyrimi i punëdhënësit gjatë kohës sa punëtori është në grevë, pezullohet, ne kemi marrë për detyrë që të përditësohen listat e pagave. Mirëpo meqenëse se përditësimi i listave të pagave nuk është arritur të bëhet me kohë për këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur që të procesohet edhe me pagat e tyre në ditën e sotme. Pra, janë procesuar vetëm për ato organizata buxhetore listat e të cilave janë përditësuar”, ka thënë Murati.

Kurse, Ministria e Arsimit përmes një komunikate ka thënë se nesër, më 1 shtator, fillon viti i ri shkollor në të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe atë të lartë.