Në Gjilan është shënuar sot 50-vjetori i demostratave të vitit 1968, në kuadër të aktiviteteve të shumëta në shënim të 550-vjetorit të vdekjes së heroit të shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Kreu i Gjilanit, duke folur para të pranishmëve të shumtë, ka thënë se pa këtë protest e këtë guxim, shqiptarët nuk do të ishin këta që janë sot, thuhet në njoftim.
“Në përvjetorin e madh të Skënderbeut, sot po e shënojmë 50-vjetorin e lëvizjes së demonstrative të nxënësve të shkollave, qytetarëve të Gjilanit, të cilët në 11.55 dolën në rrugë për të kërkuar flamur dhe në emër të tij për të kërkuar liri dhe të drejta për të gjithë. Ky është manifestimi kryesor në kuadër të 42 aktiviteteve që po i shënojmë për flamurin kuq e zi. Të gjithë ata që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm duke u bërë therror, në emër të qytetarëve të Gjilanit I falënderoj shumë dhe gjunjëzohem për këtë vepër të madhe edhe ndaj atyre që jaën gjallë”, ka theksuar Haziri.
Në këtë ngjarje, në të cilën kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve kulturore, politike, bashkësive fetare e qytetarëve të rëndomtë, kanë folur edhe historianët, Fehmi Rexhepi e Aliriza Selmani, sikurse edhe Irfan Shaqiri, në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politik, njofton Komuna e Gjilanit.
Kujtojmë se Demostratat në muajin tetor të vitit 1968 kishin ardhur si përgjigje nga ana popullit ndaj pakënaqsive, e që simbolizonin rezistencë ndaj pushtetit serb.
Demostratat masive kishin shpërthyer në shumë qytete të Kosovës. Demostrata e parë ishte organizuar në Prizren, me 6 tetor 1968.
Populli kishte kërkesa të qarta ndaj pushtetit të at’hershëm, ku për herë të parë në mënyrë publike u kërkua Kosova Republikë.
Policia e pushtetit kishte ushtruar dhunë të madhe ndaj demostruesve ku edhe kishte arrestuar shumicën e organizatorëve, shkruan Ballkani.info.
Ndër organizatorët e arrestuar të cilët më vonë edhe ishin dënuar me burgim ishin: Osman Dumoshi (5 vite burgim), Hasan Dërmaku (5 vite), Selatin Novosella (5 vite), Adil Pireva (5 vite), Skender Kastrati (4 vite), Afrim Loxha (3 vite), Ilaz Pireva (3 vite). /Ballkani.info.








