Gjilani miraton planin për menaxhimin e thatësisë, përfundimin e vitit shkollor dhe pritjen e bashkatdhetarëve

Nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, është mbajtur sot mbledhja e bordit të drejtorëve, ku është diskutuar për planet dhe projektet e mëdha që do të realizohen gjatë tre muajve të ardhshëm.

Siç njofton kumtesa, i pari i gjilanasve, Lutfi Haziri, ka bërë publike projektet e mëdha milionëshe që do të fillojnë së implemetuari gjatë tre muajve të ardhshëm, përcjell Ballkani.info.

“Tashmë jemi në prag të fillimit të projekteve përmes partneritetit publiko-privat (PPP), që përfshihet shpallja e ankandeve për tokat, parkingjet, palestra e sporteve, projekti i gazifikimit, ai i Liqenit të Livoçit dhe Zona Ekonomike, e cila pritet të nënshkruhet me Komunën e Novobërdës. Këto janë projekte të reja mulutimilionëshe që po fillohen, krahas atyre tjera infrastrukturore, e që do ndikojnë direkt në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve”, ka thënë Haziri.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për përfundimin e vitit shkollor dhe përgatitjet për vitin 2019/2020, përfshirë edhe reformat në arsim, sikurse edhe për rregullimin e trafikut dhe format përmes parkingjeve të reja.

Sa i përket menaxhimit të thatësisë, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, njoftoi se nga sot ka filluar të zbatojnë orarin e ri të reduktimeve nëpër lagje.

“Jam shumë i kënaqur me solidaritetin qytetar në kursimin e ujit. Edhe sot apeloj që të vazhdojnë kursimin, përndryshe do të ketë gjoba të larta për keqpërdoruesit eventual”, theksoi Haziri.

Në mbledhjen e bordit është miratuar plani kontingjent për menaxhimin e thatësisë, përfundimi i vitit shkollor dhe përgatitjet për pritjen e bashkatdhetarëve. /Ballkani.info