Gjilan: Ndalohen dy persona për dhunë në familje

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndaluar dy persona, për shkak të dyshimit se kanë shkaktuar dhunë në familje.

Sipas prokurorisë në rastin e parë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.T, në komunën e Ranillugut, në këtë muaj, në vazhdimësi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, të dëmtuarës T.T, duke e goditur me grushte në fytyrë dhe pjesë të trupit, e cila për shkak të lëndimeve të pësuara ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Në rastin tjetër, dyshohet që i pandehuri F.S, në komunën e Gjilanit, ka shkaktuar dhunë në familje, në atë mënyrë që nën ndikimin e alkoolit dhe me thikë e kanos vajzën e tij L.F, deri në atë moment kur e dëmtuara arrin të i’a largojë thikën nga dora, me ç’ rast i njëjti përsëri tenton të e godas, duke gjuajtur me një dru në drejtim të saj.

Në të dy rastet, prokuroria ka lëshuar aktvendim mbi ndalim, në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe ka ushtruar kërkesat për caktimin e paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, ndaj dy të pandehurve, në Gjykatën kompetente në Gjilan.