Gjetja e mjeteve shpërthyese afër Veternikut, në vend ngjarje vetëm policia

Që nga mëngjesi Policia e Kosovës ka rrethuar një pjesë të fshatit Preoc afër lagjës Veternik në Prishtinë.

Aty janë gjetur disa mjete shpërthyese e në vendin e ngjarjes janë vetëm policia – jo edhe njësiti i deminimit.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 08:40 është pranuar informata se në një vend punishte në fshatin Preoc, janë gjetur disa mjete të dyshimta që dyshohet të jenë mjete shpërthyese. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për tu siguruar nga rreziku i shpërthimit eventual”.

“Në vendngjarje po ashtu janë ftuar edhe ekipet e specializuara të Policisë së Kosovës për menaxhimin e mjeteve shpërthyese, të cilët aktualisht po vazhdojnë punën deri në pastrimin e plotë të perimetrit të siguruar nga ana e policisë”, tha Ahmeti.

Kujtojmë se mjetet janë gjetur në afërsi të punimeve për rehabilitimin e hekurudhës Fushë Kosovë – Han i Elezit teksa janë ndërprerë punimet.