Gjermania ka deklaruar se nuk mund t’i dërgojë Ukrainës tanket Marder, për shkak se i nevojiten për mbrojtjen e saj, duke ngritur kështu pikëpyetje nëse mund t’i shpërndajë armë shtetit që po përballet me pushtimin nga Rusia.

Politico të enjten raportoi se kancelari gjerman, Olaf Scholz është duke e vonuar vendimin finale, nëse do t’i dërgojë Ukrainë tanke, pavarësisht presionit nga qeveria e tij.

Sipas këtij plani, Berlini do të mund t’i dërgonte rreth 100 tanke Marder Ukrainës.

Megjithatë, një zëdhënës u ka thënë gazetarëve të premten se ministria e Mbrojtjes ka ekzaminuar se një gjë e tillë nuk është e mundshme tani.

“Pas shqyrtimeve, ne kemi parë se kjo thjesht nuk funksionon”, ka thënë ai.

Scholz më herët këtë javë kishte deklaruar se Gjermania duhet të konsultohej fillimisht me aleatët perëndimor për një gjë të tillë.

Ndërkaq, nga qeveria gjermane kanë deklaruar se vazhdimisht janë duke parë për mënyra me të cilat mund ta mbështesin Ukrainën.