Gjermania thotë se SHBA-ja ende i duhet Evropës për mbrojtje

Ministrja gjermane e Mbrojtjes ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende i duhen Evropës për mbështetje në çështje të sigurisë.

Annegret Kramp-Karrenbauer thotë se Amerika vazhdon të mbetet aleati më i rëndësishëm i Evropës për sigurinë dhe mbrojtjen e shteteve evropiane, raporton AP.

Ajo e ka pranuar se Evropa nuk do të mund ta mbronte veten nëse nuk do të kishte kapacitetet bërthamore të mbrojtjes së SHBA-së të vendosura në vendet evropiane. Amerika ka rreth 76 mijë trupa ushtarake në Evropë.

Në këtë shifër nuk përfshihen edhe ushtarët që mund të dërgohen në raste emergjente. Kjo vetëm sa e fuqizon lidhjen e shteteve anëtare të NATO-s, ku Amerika është fuqia më e madhe ushtarake.

Raportet ndërmjet Amerikës dhe Evropës pësuan çarje gjatë presidencës së Trumpit, i cili akuzoi evropianët se nuk mund të llogarisin gjithnjë në përkrahjen amerikane nëse nuk investojnë më shumë në mbrojtje.