Benjamin Netanyahu

Gjermania thotë se do ta zbatonte urdhërarrestin për Netanyahun në territorin e saj

Gjermania ka thënë se do të respektonte një urdhërarrest të Gjykatës Ndërkombëtare Penale kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Zëdhënësi i kancelarit Olaf Scholz, Steffen Hebestreit, u pyet të mërkurën nëse qeveria gjermane do të ekzekutonte një urdhërarrest të Gjykatës Ndërkombëtare Penale kundër kryeministrit Netanyahu nën dyshimet për krime lufte, raporton gazeta “The Jerusalem Post”.

Hebestreit-i tha: “Natyrisht. Po, ne e respektojmë ligjin.”

Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, të hënën tha se ka kërkuar lëshim të urdhërarresteve për kryeministrin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes të Izraelit, Yoav Gallant, dhe tre udhëheqës të Hamasit nën dyshimet për krime lufte.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e kanë dënuar këtë lëvizje të prokurorit Khan. Kryediplomati i ShBA-së, Antony Blinken, madje ka shprehur gatishmëri për të punuar me Kongresin rreth vendosjes së mundshme të sanksioneve kundër GjNP-së.