Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, njërën ndër vendimet e para që ka nënshkruar, pasi e ka marrë këtë post, është shkarkimi i Sekretarit të Përgjithshëm, Miguel Berger, duke e zëvendësuar me ish-ambasadorin e Gjermanisë në Londër, Andreas Michaelis.

Ish-sekretari i MPJ-së gjermane, Miguel Berger i partisë Social Demokrate, në të kaluarën kishte bërë deklarata pro Rusisë, duke nxitur debat në Gjermani, raporton Demokracia.com.

Sergej Sumlenny, ekspert i Evropës Lindore dhe ish drejtor i fondacionit gjerman “Böll Stiftiung”, përmes profilit të tij në Twitter ka përshëndetur largimin e Bergerit nga Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.

“Lajm i mrekullueshëm. Ministrja e Jashtme gjermane largon punonjësin e lartë të ministrisë Berger, i cili ishte përgjegjës për politikën e Rusisë dhe ishte i afërt me ish-ministrin miqësor ndaj Rusisë, Maas. Shenjë e mirë për një rinovim të vërtetë!”, ka shkruar ai në Twitter, përcjell Demokracia.com.

Miguel Berger përveç qëndrimeve të tij pro ruse, ai është edhe një mik i mirë i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit.

Në takimin e fundit që Bislimi kishte me Berger, të dy kishin folur për dialogun Kosovë-Serbi.

“Takimi i shkëlqyer me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi. Ne diskutuam marrëdhëniet tona të forta dypalëshe dhe rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Josep BorrelI dhe Miroslav Lajçak me synimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe ligjërisht të detyrueshme!”, kishte shkruar Berger në Twitter.

Berger ishte bërë një zëdhënës i fuqishëm i Nord Stream 2, një projekt rus, që për qëllim ka furnizimin e Gjermanisë me gazin e Rusisë.

Në komisione parlamentare të Bundestagut gjerman, Berger promovoi ofertat e Moskës, duke mbrojtur projektin e gazit rus, një projekt i kritikuar ashpër nga Amerika.

“Ne nuk kemi asnjë interes që ky projekt të kthehet në një gërmadhë investimi”, tha ai dhe hodhi poshtë sanksionet ekstraterritoriale nga SHBA ose vende të tjera”, ka thënë Berger vitin e kaluar gjatë një dëgjimi në komisione parlamentar. /Demokracia.com/