MPJD

Gjermania njohu patentë shoferët e Kosovës, reagon Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar pasi Gjermania njohu patentë shoferët e Kosovës.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Gërvalla ka thënë se ditëve të ardhshme kosovarët do të njoftohen lidhur me detajet e përdorimit të lejes së makinës në Gjermani.

Rregullorja e re pritet të hyjë në fuqi pas publikimit në fletoren zyrtare të Gjermanisë (Bundesanzeiger), me shumë gjasa brenda dy javësh.

“Gjatë ditëve në vijim do të informoheni rreth afateve ligjore si dhe të gjitha detajeve të rëndësishme lidhur me përdorimin e lejes/patentës suaj në Gjermani”, shkruan Gërvalla.

Gërvalla shprehet optimiste se Gjermania do të jetë shembull që edhe vende të tjera të njohin leje/patentat e Kosovës.

“Jam e bindur që shembulli me Gjermaninë të jetë një ndihmesë e madhe edhe gjatë bisedimeve dhe negociatave që jemi duke zhvilluar me shtete të tjera rreth njohjes së lejeve/patentave tona”, shtoi ajo.

Shkrimi i plotë i Gërvallës në Facebook:

Me votën e Këshillit Federal gjerman, sot u përmbyll procesi i gjatë dhe i vështirë i njohjes së lejeve të drejtimit/patentave nga Kosova. Mijëra e mijëra qytetarë të Kosovës në Gjermani kanë qenë për vite me radhë të privuar nga e drejta e tyre për të drejtuar automjete me lejen/patentën e tyre të fituar në Kosovë.

Ky proces do të duhej të kishte përfunduar shumë më herët. Mijëra Euro kanë paguar familjet shqiptare në Gjermani për të bërë patentën gjermane, e cila për një shumicë të konsiderueshme të tyre ndërlidhej drejtpërdrejtë me mundësinë për të punuar ose jo.

Megjithatë sot është një ditë e mirë, së cilës mund t’i gëzohemi të gjithë bashkë.

Jam e bindur që shembulli me Gjermaninë të jetë një ndihmesë e madhe edhe gjatë bisedimeve dhe negociatave që jemi duke zhvilluar me shtete të tjera rreth njohjes së lejeve/patentave tona.

Jam e ndërgjegjshme që qytetarët tanë jashtë vendit ballafaqohen edhe me plot sfida të tjera, të cilat kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë. Por në anën tjetër jam e bindur që me punë e përkushtim në të ardhmen do të mund t’i zgjidhim një e nga një edhe një pjesë të madhe të tyre.

Gjatë ditëve në vijim do të informoheni rreth afateve ligjore si dhe të gjitha detajeve të rëndësishme lidhur me përdorimin e lejes/patentës suaj në Gjermani.

Falënderoj nga zemra TË GJITHË ata, të cilët me punën e tyre kontribuan në njohjen e lejeve/patentave nga Kosova në Gjermani.

Shfrytëzoj rastin të falënderoj veçanërisht ish-Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, z. Heiko Maas për mbajtjen e premtimit të dhënë vitin e kaluar në Prishtinë që çështjen e këtyre lejeve/patentave do ta përcillte në Këshillin Federal para se të përfundonte mandatin e tij.

Kosova e shtroi kërkesën për njohjen e patentave në gusht të vitit 2018.