Kosovë-Serbi

Gjermania kundërshton ndryshimet e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë

Ministri shtetëror gjerman për Evropë Michael Roth ka përsëritur se Gjermania e kundërshton zgjidhjen e kontestit në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndryshimi të kufirit, sepse kjo do të ishte shumë e rrezikshme dhe do ta destabilizonte rajonin.
Gjermania kundërshton ndryshimet e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Roth në një intervistë për Deutsche Welle ka thënë se pret nga Shqipëria ta përdorë ndikimin e saj ta pengojë destabilizimin.

“Integriteti territorial i Ballkanit Perëndimor për ne është shumë i rëndësishëm. Përpjekjet për ndryshimet e kufijve në të kaluarën kanë shkaktuar vuajtje të pakufishme. Prandaj mendoj se mendimet e tilla jo vetëm që nuk premtojnë shumë sukses, por janë edhe skajshmërisht të rrezikshme”, ka thënë Roth.

Ai ka theksuar se është e nevojshme marrëveshja gjithëpërfshirëse e cila përfundimisht do t’i rregullonte marrëdhëniet, dhe do t’i mundësonte Serbisë dhe Kosovës të bëhen anëtare të BE dhe të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura teknike.

“Presim nga Shqipëria ta shfrytëzojë ndikimin e saj politik dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në rajon. Kjo sidomos i referohet çështjeve të cilat kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Është në interes të vet Shqipërisë, si pjesë e rajonit, që të pengojë destabilizimin e ri të Ballkanit Perëndimor, të cilin e kishte shkaktuar ndryshimi i kufijve”, ka thënë Roth.

Ministri gjerman ka pranuar se disa vende evropiane si dhe SHBA e shikojnë ndryshe mënyrën e zgjidhjes së kontestit në mes të Beogradit dhe Prishtinës, por e ka përsëritur qëndrimin e Gjermanisë se marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet ta përforcojë stabilitetin e dyja vendeve në rajon.

“Nuk e shoh se si mund të arrihet kjo me ndryshimin e kufijve. Aq më tepër, Ballkani Perëndimor nuk do të qetësohej. Nga vendet fqinje vazhdimisht dëgjoj se janë të brengosur për shkak të këtij debati sepse shohin efektin domino. Për proces të hyrjes në BE kjo gjithqysh nuk do të ndihmonte”, ka thënë Roth.