Gjermania kundër “fantazive” për ndryshimin e kufijve në Ballkan

Ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth, ka përsëritur qëndrimin e shtetit të tij se ndryshimi i kufijve nuk zgjidh asnjë problem në Ballkan. Sipas tij, një gjë e tillë madje do të ishte e rrezikshme për rajonin.

Duke komentuar një letër që qarkullonte në mediumet e Ballkanit, e që sipas raportimeve ishte ide e kryeministrit slloven për ridizajnim të kufijve në Ballkan, Roth ka thënë se kjo ka qenë vetëm një fantazi.

“Ndryshimi i kufijve nuk zgjidh asnjë problem në Ballkanin Perëndimor. Përkundrazi, do të ishte shumë i rrezikshëm dhe do të kërcënonte rihapjen e Kutisë së Pandorës, e cila është plot konflikte. Kjo nuk kërkon ndonjë profeci. E tashmja dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është tek pajtimi, tek bashkëpunimi i ngushtë rajonal, tek distancimi përfundimtar nga nacionalizmi dhe revanshizmi. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë dhe mbeten vende të shoqërive shumëfetare dhe shumetnike. Ky është parakushti për paqe, prosperitet dhe demokraci. Prandaj jam i qetësuar që qeveria sllovene është distancuar qartazi nga fantazitë për ndryshimin e kufijve. Sepse askush në Evropë nuk mund të ketë interes për këtë”, ka deklaruar ai për “DW”.

Roth ka thënë se kujtimet e luftërave të Ballkanit në vitet e ’90-a duhet të jenë paralajmërim i mjaftueshëm që puna e kufijve të mos rihapet.

“Pozicioni im është i qartë: fantazitë për zhvendosjen e kufijve më në fund i përkasin njëherë e përgjithmonë një të kaluare të dështuar”, ka shtuar ai.

Roth ka shtuar se Gjermania do të angazhohet për liberalizimin e vizave për Kosovën.