Boris Pistorius

Gjermania e gatshme të veprojë nëse duhet në rast të tensionimit të situatës në Kosovë

Gjermania është duke përcjellur me kujdes tensionet mes Kosovës dhe Serbisë dhe do të veprojë nëse e sheh të nevojshme, ka thënë ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, raporton agjencia “DPA”.

“Ne jemi duke përcjellë situatën dhe do të veprojmë nëse është e nevojshme”, ka thënë Pistorius, ndërsa u ka bërë thirrje palëve për shtensionim.

Ai nuk e ka përjashtuar rritjen e prezencës së ushtarëve gjermanë në misionin KFOR, siç ka bërë së fundi Britania e Madhe, por ka thënë se nuk ka plane për momentin.

Duke folur në qytetin Braunsch]eig, Pistorius ka thënë se Gjermania “do të reagojë shumë shpejtë” nëse është e nevojshme.

Më herët, kryesuesja e Komitetit për Mbrojtje në Parlamentin e Gjermanisë, ka ngritur idenë për ta rritur numrin e ushtarëve gjermanë në KFOR.

“Sipas mandatit, mund të dërgojmë deri 400 ushtarë”, ka thënë Marie-Agnes Strack-Zimmermann.

Aktualisht në Kosovë janë 85 ushtarë gjermanë.

E ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka përsëritur thirrjen ndaj Serbisë që ta reduktojë numrin e trupave në afërsi të kufirit me Kosovën.