Gjermania e Franca s’i dënojnë veprimet e Izraelit, shprehin “shqetësim”

Gjermania dhe Franca nuk i kanë dënuar veprimet agresive të forcave izraelite të sigurisë, nga të cilat mbetën të vdekur mbi 20 persona. Dy fuqitë kryesore evropiane janë mjaftuar me “shprehje të shqetësimit”.

Gjermania të hënën refuzoi që t’i dënonte sulmet policore izraelite ndaj civilëve palestinezë brenda Xhamisë Al-Aqsa, ku qindra njerëz u lënduan.

I pyetur dy herë për këtë çështje gjatë një konference për gazetarë në Berlin, zëvendëszëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Christofer Burger, vetëm iu referua deklaratës së të ashtuquajturit Kuartet i Lindjes së Mesme.

Në deklaratën e këtij grupi, në të cilin bëjnë pjesë BE-ja, ShBA-ja Rusia dhe OKB-ja, shprehet shqetësim i thellë për përleshjet e përgjakshme në Jerusalemin Lindor, por nuk dënohet në mënyrë specifike sulmi i forcave izraelite në xhami.

Ndërkohë zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, bëri thirrje për de-eskalimin e konfliktit dhe u bëri thirrje palëve që të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe gjykim.

Ministria për Evropë dhe Punë të Jashtme e Francës ka dalë me një deklaratë me të cilën e shpreh shqetësimin serioz rreth përleshjeve dhe dhunës në Jerusalem dhe me të cilën e dënoi hedhjen e raketave nga Gaza drejt territorit izraelit, të cilat i cilësoi si shkelje e ligjit ndërkombëtar. Sidoqoftë, në deklaratë nuk dënohen veprimet e Izraelit.

Franca gjithashtu është thellësisht e shqetësuar rreth rrezikut për dëbime të detyrueshme ndaj banorëve të lagjes Sheikh Jarrah në Jerusalemin Lindor, që lidhen me politikën e ndërtimit të vendbanimeve izraelite, të cilësuara në deklaratë si ilegale sipas ligjit ndërkombëtar, por veprimet e qeverisë izraelite nuk dënohen.