Gjermania do të ndërmjetësojë për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve

Gjermania do të përpiqet që të ndërmjetësojë një armëpushim sa më të shpejtë mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, duke nisur për në rajon ministrin e Jashtëm, Heiko Maas.

“Plani im është që të shkoj në Izrael dhe të zhvilloj bisedime në Jeruzalem dhe në Ramallah”, deklaroi Maas.

Në një debat në Bundestag, ministri i Jashtëm Heiko Maas dënoi ashpër atë që e quajti “terrori i raketave” i organizatës palestineze Hamas, që është klasifikuar nga BE dhe SHBA si grup terrorist.

“Hamas me vetëdije e ka nxitur përshkallëzimin e situatës me pasoja të tmerrshme, që prekin Izraelin dhe palestinezët e në radhë të parë njerëzit në Rripin e Gazës”, tha Maas. “Izraeli ka të drejtë dhe detyrim, të mbrojë popullsinë e vet”, vijoi ai.

Maas shprehu shqetësimin që diplomacia në Lindjen e Mesme prej vitesh nuk po avancon. Konflikti mes Izraelit dhe palestinezëve mund të zgjidhet vetëm përmes “zgjidhjes së negocuar me dy shtete”, tha Maas. “Për këtë është punuar shumë pak vitet e fundit”.

Në fjalimin e tij ministri i Jashtëmgjerman ceku edhe pikat kritike në adresë të Izraelit.

“Kur flasim për çtensionimin, natyrisht tematizojmë edhe ndërtimet e vendbanimeve izraelite në territoret e pushtuara dhe planifikimin për zhvendosjen e palestinezëve në Jeruzalemin Lindor”, u shpreh ai.