KFOR

Gjermania do ta rrisë numrin e ushtarëve të KFOR-it në muajt në vijim

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, teksa e ka falënderuar ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius për vizitën në Kosovë, ka njoftuar se shteti i tij do ta rrisë kontingjentin e ushtarëve gjermanë në Kosovë gjatë këtij viti.

“Gjermania do të rrisë kontingjentin e saj të KFOR-it në muajt në vijim si shenjë e përkushtimit tonë të fortë për sigurinë në Kosovë dhe në mbarë rajonin”, shkroi ai në platformën X.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, ka bërë thirrje për maturi dhe kujdes në raport me pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, derisa shtoi se Qeveria e Kosovës duhet të kontribuojë në zbutjen e rrjedhës së tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Sa i përket marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, kërkesa e ditës është deeskalimi, kancelari federal e ka theksuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë, por kusht është dialogu dhe askush nuk duhet ta ketë një interes në tensionimin e mëtejmë të situatës. Duke marrë parasysh tensionet aktuale, ne bëjmë thirrje për maturi dhe kujdes”, tha ai gjatë një konference për media në Prishtinë.

Ai ka thënë se Gjermania respekton përpjekjet e Kosovës në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, por fillimisht duhet të ndodhë deeskalimi i plotë i situatës në katër komunat veriore të vendit dhe palët të angazhohen në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

Pistorius ka theksuar se stabiliteti në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi mbetet i një rëndësie të madhe për Gjermaninë, ndërsa ka shtuar se Forca e NATO-s (KFOR) mbetet garantues i sigurisë në vend. Ai ka njoftuar se Gjermania do të dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë në prill të këtij viti për të përforcuar kontigjentin gjerman të KFOR-it.

“Stabiliteti i rajonit dhe i Kosovës është i një rëndësie të veçantë për ne. Ne e dimë edhe nga historia e Evropës në 50 vitet e fundit që stabiliteti dhe paqëndrueshmëria në rajon ka luajtur një rol të madh të sigurisë në të gjithë Evropën. Roli i KFOR-it në arkitekturën e sigurisë së Kosovës është hallka e tretë e sigurisë në vend dhe është e përgatitur shumë mirë”.

VIDEO BONUS: Çështja e dinarit| “Do të ndikojë në partneritetin tonë”, Hovenier paralajmëron Kurtin për pasoja