Qeveria e re

Gjermania dhe Franca kërkojnë formimin sa më të shpejtë të Qeverisë si dhe zgjedhjen e presidentit

Pavarësisht temperaturave të ulëta dhe motit të keq, numër i madh i qytetarëve dolën për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Pas numërimit të zgjedhjeve të rregullta rezultoi që Lëvizja Vetëvendosje doli fituese e këtyre zgjedhjeve me mbi 47 përqind.

Por derisa Komisioni Qendror Zgjedhor është duke vazhduar me numërimin e votave nga diaspora dhe ato me kusht, nga vendet e shumta evropiane kanë kërkuar formimin sa më të shpejtë të institucioneve drejtuese të vendit.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde ka uruar Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin për rezultatin e zgjedhjeve derisa ka deklaruar se Gjermani bënë thirrje për një formim sa më të shpejtë të qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.

“Gjermania dhe Franca uron qytetarët e Kosovës, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Vjosa Osmanin për rezultatin e zgjedhjeve. Ne bëjmë thirrje për një formim të shpejtë të qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit, sapo të certifikohen rezultatet”, ka shkruar ambasadori Rohde.

Tutje ambasadori i Gjermanisë në Kosovë tha se Gjermania dhe Franca do të mbështesin vazhdimin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gjermania dhe Franca janë të gatshëm të mbështesin vazhdimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në mes Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian të të dyja vendeve”, u shpreh Rohde.

Rohde shtoi tutje se do të mbështesin një agjendë ambicioze të reformave duke përfshirë forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Së bashku me Bashkimin Evropian në Kosovë ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në menaxhimin e pandemisë COVID-19”.