Qeveria e Albin Kurtit dhe qytetarët e Kosovës e kanë gjetur një të përbashkët: Gjermaninë.
Përderisa Qeveria për të punuar në Kosovë po sjellë ekspertë gjermanë, rreth 56 mijë kosovarë kanë aplikuar vetëm në muajin dhjetor për viza pune në Gjermani.
Përveç gjermanit të famshëm të KEK-ut, një tjetër ekspert gjerman në fund të muajit dhjetor të vitit 2021, ishte angazhuar nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Edhe eksperti i Hajdarit, ndonëse jo se ai i KEK-ut, do të paguhet me shifra marramendëse për pak ditë pune që i ka në Kosovë. Ai për 50 ditë do të paguhet 44 mijë e 900 euro, gati 1 mijë euro në ditë.
Gjermani i Rozeta Hajdarit u angazhua për ta bërë hartimin e Strategjisë për Zhvillimin e Industrisë dhe Mbështetje të Biznesit (Politika Industriale) – Loti 1.
Demokracia.com ka siguruar kontratën e nënshkruar me gjermanin Christian Timm nga Berlini.

Për 50 ditë që të qëndrojë në Kosovë, ky ekspert i bie që do të paguhet rreth 1 mijë euro në ditë.

Kontrata në mes ekspertit Christian Timm dhe ministrisë që drejtohet nga Rozeta Hajdari është nënshkruar më 24 dhjetor 2021.
Në dosjen e tenderit që e ka siguruar Demokracia.com janë treguar edhe punët që do t’i kryej eksperti gjerman.

E në arsyetimin e këtij tenderi, ministria i ka dhënë edhe disa specifika më konkrete se çka duhet të kryej eksperti gjerman.

Puna e tij nuk është aspak e rëndë. Gjermani disa ditë do t’i ketë punë edhe nga shtëpia e tij në Berlin ose nga ndonjë apartament në Prishtinë. Kështu të paktën thuhet në dosjen e tenderit.
“Rishikimin e politikave vendore si dhe të BE-së, legjislacionit dhe raporteve përkatëse, 4 ditë (shtëpi)”, thuhet në dosje, raporton Demokracia.com.



Në strategji, eksperti gjerman që do t’i fitojë afërisht 45 mijë euro për 50 ditë punë duhet “t’i adresojë sfidat dhe pengesat e sektorit privat nga ndikimi i pandemisë COVID-19”, thuhet në dosjen e tenderit.
Po ashtu, sipas dosjes së tenderit, në këtë rast fokusi dhe politika e strategjisë do të jetë në përputhje me kërkesat e sektorit privat dhe me politikat evropiane për zhvillimin e industrisë, gjithashtu duke marrë për bazë rekomandimet e Komisionit Evropian, si dhe masat e rekomanduara nga Qeveria e Kosovës.
Qëllimi i këtij angazhimi është hartimi i një strategjie moderne të politikës industriale, përfshirë planin e veprimit dhe planin e monitorimit dhe vlerësimit, që hartohen në një proces të bazuar në të dhëna të marra nga hulumtime kuantitative dhe kualitative, si dhe me përfshirje të pjesëmarrësve relevantë.
Nga angazhimi i ekspertëve të huaj duket se Qeveria Kurti ka një fiksim me ekspertët gjermanë.
Edhe në fund të vitit 2021, Qeveria e Albin Kurtit solli në KEK një ekspert nga Gjermania për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara në turbinën e shtypjes së ulët të njësisë B2 në termocentralin “Kosova B”.
Për të sanuar dëmet, zyra e prokurimit të KEK-ut kishte lidhur kontratë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë me kompaninë “GE Steam Power Service France Representative Office in Kosovo”. Vlera e tërësishme e kontratës në mes KEK dhe kompanisë ishte 248 mijë euro.
Në përbërje të kompanisë gjermane, e cila ka shumë degë nëpër botë ishte vetëm një ekspert dhe ekspertiza e tij u pagua rreth 12 mijë euro për një ditë ose 248 mijë euro për 21 ditë.
Kosova B vazhdon të jetë ende jashtë funksionit, prej datës 14 dhjetorit të vitit 2021.







