Gjergji: Krishtlindja le të rikuperojë virtytet e dashurinë në mes njerëzve

Zoti është burim i jetës. Ti kthehemi të vërtetës, ti kthehemi burimit, ti kthehemi shpellës së Betlehemit ku një foshnje e vogël na është ofruar dhe ajo foshnje është Zoti. Dhe porosia e tij është ‘Të Dua’. Aty ku nuk Zot, nuk ka jetë, aty ku nuk ka kënaqësi aty nuk ka lumturi.

Këto ishin disa nga fjalët e Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës imzot Dodë Gjergji në meshën e sotme të mbajtur në Katedralen ‘Nëna Terezë’ për festën e Krishtlindjes.

Në mesazhin e tij, Gjergji tha se megjithë perfeksionit që Zoti ka bërë kur ka krijuar njeriun, ky i fundit nuk është mjaftuar ndërsa ka krijuar lakminë, ku për pasojë humbi lirinë e dinjitetin.

Gjergji bëri thirrje që njerëzit të mbështeten në Zotin dhe Jezu Krishtin.

Gjergji bëri thirrje që virtytet dhe vlerat njerëzore të kthehen tek njeriu, por që sipas tij një gjë e tillë nuk mund të arrihet pa besuar dhe mbështetur në Zot. Ai mori shembull bamirësen shqiptare Nënë Terezën.

Kryeipeshkvi tha se Zoti vazhdimisht komunikon me njeriun, ndërsa sipas tij komunikimi është dashuria, fjala e parë me të cilën Zoti krijoi qiellin me tokën dhe si kryevepër krijoi njeriun Adamin dhe Evën dhe pasardhësit e tyre ishte shprehje e dashurive.

Gjergji duke bërë thirrje që Krishtlindja të rikuperojë vlerat dhe virtytet njerëzore, paqen e solidaritetin në mes njerëzve, tha se çdo ditë e më shumë kemi më pak falënderime e dashuri mes tyre.