Gjergj Dedaj njofton se ka liruar detyrën e ambasadorit

Gjergj Dedaj më 31 maj ka liruar detyrën e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut në Shkup.

Dedaj përmes një letre, shkarkimin e tij nga presidentja Vjosa Osmani e ka quajtur tendencioz, skandaloz dhe hakmarrje politike.

Ai ka thënë se shkarkim i tij ishte i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me Konventën e Vjenës.

“Presidentja Osmani e cila do të duhet të kryente obligimet e saja kushtetuese si një figurë unifikuese, ajo tashme është shndërruar një njërën nder figurat më përçarëse, shantazhuese, kërcënuese dhe diskriminuese, mbi baza politike, partiake dhe fetare në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Dedaj në letrën e tij.

Ai në këtë letër tregon për mënyrën se si i është kërkuar që brenda një dite ta lirojë detyrën e ambasadorit, raporton “Epoka e re”.

“Shprehi keqardhje që në vend të mirënjohjes shteti im bënë këtë skandal ndaj meje për qëllime të njohura për mua, pa ma dhënë mundësinë e organizimit të një ceremonie falënderuese për liderët e institucioneve të RMV, për korin diplomatik të akredituar në Shkup, shumë miqve të tjerë me të cilët kisha bashkëpunim brilant”, ka thënë Gjergj Dedaj, ish-ambasador i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut.

Letra e plotë e Dedajt:

Më 31 maj 2021 kam liruar detyrën e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut në Shkup.

Pas shkarkimit tendencioz, skandaloz dhe të hakmarrjes politike nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkarkim ky i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me Konventën e Vjenës, më 31 maj 2021 kam liruar detyrën!
Presidentja Osmani e cila do të duhet të kryente obligimet e saja kushtetuese si një figurë unifikuese, ajo tashme është shndërruar një njërën nder figurat më përçarëse, shantazhuese, kërcënuese dhe diskriminuese, mbi baza politike, partiake dhe fetare në Republikën e Kosovës.
Më 26 maj 2021, presidentja Osmani në mënyrë cinike, arbitrare, pa paralajmërim shkarkoi 12 ambasadorë brilantë dhe meritorë në politiken e jashtme dhe diplomacinë kosovare!
Në mesin e këtij shkarkimi politik antikushtetues dhe dinak ishte edhe shkarkimi im, ndonëse kam kaluar pak më shumë se gjysmën e mandatit të rregullt ligjor. Ky shkarkim skandaloz më ka nxitur të bëjë reagime jashtë vetes sime nga gjendja emocionale, shpirtërore dhe cenimi i rëndë i saj ndaj shëndetit dhe integritetit tim!
Për të qenë ironia edhe më e madhe, me datën 27 maj 2021, me vjen një vendim ekstrem skandaloz, i nënshkruar nga ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla, përkundër deklarimit të saj se të gjithë ambasadorëve të shkarkuar, konform ligjeve dhe Konventës së Vjenës do t’u jepet afat se paku tremujor për lirimin e detyrës, por vetëm mua më është dhënë afat që brenda një dite, pra më 28 maj 2021 ta lirojë Ambasadën në Shkup.
Pas kësaj me vjen edhe një email tjetër nga z. Albert Prenkaj, drejtor i përgjithshëm i MPJD-së, i cili cek afatin tremujor të dorëzimit të kredencialeve konform marrëveshjes së Vjenës të cilin ia kam dërguar ministres Gërvalla dhe nga MPJD me shkruajnë se detyrën duhet ta dorëzojë menjëherë në bazë të vendimit të presidentes Osmani dhe ministres Gërvalla.
Duke vrojtuar se synojnë të denigrojnë personalitetin tim me çdo kusht e metode, duke u munduar të instrumentalizojnë eventualisht edhe segmente të tjera të shtetit të Kosovës, për të kërkuar alibi dhe justifikim për vendimet e tyre skandaloze, kam njoftuar edhe zyrën e kryeprokurorit të shtetit.
Njëkohësisht kam kërkuar nga MPJD që për arsye të humbjes së besimit, të formojnë një komision me përfaqësues të MPJD dhe MPB, në prezencën e përfaqësuesit tim ligjor, të vijnë në ambasadë për ta bërë qetësisht dorëzim pranimin. Me ketë kërkesë timen kam njoftuar sërish zyrën e kryeprokurorit dhe përfaqësuesin tim juridik! Ndërkohë bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriu, në mbrëmjen e 30 majit dërgon një email në ambasadë ku kërkon nga unë që dorëzim pranimin ta bëjë të diplomati Vlorat Gashi, gjë që ishte e papranueshme dhe e kundërligjshme, si të tillë e kam refuzuar.
Më 31 maj 2021, nga MPJD kanë ardhur në ambasadë z. Shkëlzen Morina, sekretar dhe z. Mushkolaj drejtor i zyrës ligjore të MPJD, se bashku me diplomatin Gashi kanë bërë verifikimin e gjendjes faktike të objektit të ambasadës, makinave, gjendjes financiare dhe tërë dokumentacionit, duke konstatuar rregullsinë e gjitha këtyre. Kemi nënshkruar të gjithë procesverbalin dhe kam liruar objektin e ambasadës siç i ka hije një ambasadori institucionalist, kokën lartë dhe me dinjitet!
Shprehi keqardhje që në vend të mirënjohjes shteti im bënë këtë skandal ndaj meje për qëllime të njohura për mua, pa ma dhënë mundësinë e organizimit të një ceremonie falënderuese për liderët e institucioneve të RMV, për korin diplomatik të akredituar në Shkup, shumë miqve të tjerë me të cilët kisha bashkëpunim brilant.
Njëkohësisht shprehi shqetësimin për shëndetin tim dhe të zonjës sime që ishim në fazën e trajtimit shëndetësor pas infektimit me virusin Covid-19, timin, zonjës sime dhe mbare familjes!

Gjergj Dedaj, Ambasador
Shkup, 31 maj 2021