Gjeorgjia arreston ish-presidentin, Mikheil Saakashvili

Ish-presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili është arrestuar pas rikthimit në këtë shtet, ka bërë të ditur të premten qeveria gjeorgjeze.

Kjo lëvizje erdhi ndërsa ish-lideri kërkoi të mobilizonte mbështetësit para zgjedhjeve komunale kombëtare që shiheshin si kritike për përbërjen politike të vendit.

Njoftimi për arrestimin e tij është dhënë nga kryeministri Irakli Garibashvili, dhe ka ardhur 18 orë pasi Saakashvili, i cili është dënuar në mungesë për abuzim të pushtetit dhe ka jetuar në Ukrainë në vitet e fundit, kishte bërë të ditur në një postim në Facebook se është kthyer në vendin e tij.

Detajet e arrestimit të tij nuk janë dhënë menjëherë, mirëpo televizioni gjeorgjian ka publikuar të premten një video ku Saakashvili shihet me pranga në duar, me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë.

Saakashvili ishte president i Gjeorgjisë nga viti 2004 deri në vitin 2013, dhe ishte i njohur për përpjekjet e tij energjike kundër korrupsionit endemik të Gjeorgjisë, por gjeorgjianët u bënë gjithnjë e më të shqetësuar me atë që ata e panë si prirjet e tij autoritare.

Ai kishte ardhur në pushtet në demonstratat e Revolucionit të Trëndafilave që e shtynë presidentin e mëparshëm, ish -ministrin e Jashtëm sovjetik, Eduard Shevardnadze, të japë dorëheqjen.

Saakashvilii u largua nga vendi menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2013, në të cilat ai nuk mund të kandidonte, dhe të cilat u fituan nga kandidati nga Ëndrra Gjeorgjiane.

Në vitin 2018, gjykatat në Gjeorgji e dënuan dhe ia shqiptuan deri në gjashtë vjet burgim.