Takimi

Gjenerali Eberhard Zorn vlerëson të arriturat e Kosovës në fushën e sigurisë

Kryeministri Ramush Haradinaj sot e nderoi gjeneralin Eberhard Zorn me medaljen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

“Kontributi i shtetit gjerman dhënë Kosovës në të gjitha etapat, e në veçanti në çështjen e sigurisë përmes trupave të KFOR-it gjermanë, ka luajtur rol vendimtar në çlirimin dhe tani në krijimin e stabilitetit dhe të ambientit të sigurt për qytetarët e vendit. Andaj, në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës falënderoj secilin ushtar gjerman që ka dhënë kontributin e tij duke shërbyer në misionin paqeruajtës në Kosovë”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në takim me shefin e stafit të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, gjeneralin Eberhard Zorn, thuhet në komunikatë për media.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar gjeneralin Zorn për prioritetet e Qeverisë, zhvillimet politike në vend, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, procesin e transformimit të FSK-së në ushtri, duke kërkuar nga shteti gjerman që edhe më tutje të jetë mbështetës i të gjitha proceseve të mëdha.

Duke e falënderuar shtetin gjerman për kontributin e gjithanshëm në shtetndërtimin e Kosovës, kryeministri Haradinaj tha se mbështetja e Gjermanisë është e domosdoshme edhe më tutje, në shumë procese të rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova.