Gjendje e rënduar në shumë komuna, uji bllokon rrugët e përmbyt shtëpitë

Pas reshjeve të dendura të shiut dhe borës gjatë mbrëmjes së kaluar e të cilat po vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme, është krijuar situatë e rënduar në pjesë të Kosovës.

Situatë më e rënduar paraqitet sidomos në disa zona të Gjakovës, ku ka pasur edhe përmbytje.

Kjo komunë njofton se të gjithë operatorët janë në teren dhe janë duke u munduar që të sanojnë problemet.

“Sipas parashikimeve meterologjike, reshjet do të vazhdojnë edhe në ditët vijuese dhe situata të tilla do të mund të na përsëriten”.

“Deri më tani janë raportuar situata të rënduara në hyrje-daljet e qytetit, tek rruga “Qazim Bakalli”, tek Ura që lidh Bllokun e Ri me Shkugëzen, kemi bllokim të rrugëve “Fehmi Agani” dhe “Gaspër Karaqi” si dhe paralagjia Brekoc. Lusim qytetarët që të shmangin qarkullimin në këto pjesë”.

“Në mënyrë që të jemi më afër jush, për çdo vështirësi që paraqitet në lagjen tuaj, ju lutem telefononi në Qendrën e Thirrjeve Emergjente përmes numrit 112 dhe ne do të jemi në shërbim me të gjitha kapacitetet për të minimizuar problemin”, njofton Komuna e Gjakovës.

Për përmbytje është raportuar edhe në Komunën e Malishevës dhe Drenasit, ndërkohë që reshjet e shiut dhe borës pritet të vazhdojnë.

Në ndërkohë, Komuna e Drenasit ka njoftuar që nga mëngjesi janë duke punuar në terren për të evituar problemet nga reshjet e shiut. Nga komuna është kërkuar që qytetarët të kenë mirëkuptim dhe durim në këtë situatë.