Gjendje e rënduar edhe në “Mjekësinë Sportive”, nga e shtuna nis vaksinimi i stafit mjekësor

Nga dita e shtunë në Klinikën e Mjekësisë Sportive apo “Infektives 2” do të nisë vaksinimi i të gjithë profesionistëve shëndetësorë të kësaj klinike të cilët kanë qenë në vijë të parë të frontit tash e sa muaj. E krahas kësaj nga kjo klinikë thonë se vetëm edhe 8 shtretër janë të lirë pasi 87 shtretërit tjerë janë të zënë me pacientët e infektuar me COVID-19.

Përgjegjësi i Mjekësisë Sportive, Artan Ahmeti ka deklaruar se 81 pacientë në këtë klinikë janë me oksigjenoterapi dhe kryesisht janë në gjendje të rëndë.

“Aktualisht në Mjekësinë Sportive janë 87 pacientë gjendja e tyre shëndetësore kuptohet se është e rënduar përderisa kërkojnë hospitalizim ju e dini se është një numër i madh i pacientëve me COVID pozitiv me sëmundje aktive në Kosovë, kështu ata që janë më të rëndë janë të hospitalizuar disa prej tyre janë në gjendje më të rëndë shumica absolute prej tyre janë me oksigjenoterapi…Në raportin e sotit që e kemi pasur 81 janë me oksigjenoterapi dhe 6 të tjerë janë vetëm të hospitalizuar pa oksigjen”, tha Ahmeti.

Nga dje në vendin tonë ka nisur vaksinimi i profesionistëve shëndetësorë të Klinikës Infektive por edhe të kujdesit primar. Por mjekët dhe infermierët e Mjekësisë Sportive do të mund të vaksinohen brenda ambienteve të kësaj klinike nga dita e shtunë.

“Sapo u morëm vesh në mbledhjen e Komitetit që patën se Mjekësia Sportive do e filloj vaksinimin nga dita e shtunë dhe do vaksinohen të gjithë personeli shëndetësor që ka punuar në këtë klinik dhe punon aktualisht…Një numër shumë i vogël zakonisht nuk kanë pasur probleme të mëdha shëndetësore, vaksina kuptohet që është një metodë e trajtimit kur jep efekte, pikërisht efektet e saj të sëmundjes janë të lehta që tregojnë se vaksina ka reaguar është shenj e mirë që pacienti ka reaksion dhe bëhet imun ndaj sëmundjes më të rëndë kështu që janë të zakonshme”, theksoi Ahmeti.

Përgjegjësi i klinikës “Infektive 2” thotë se aktualisht si QKUK nuk kanë paraparë zgjerim të klinikave tjera për COVID, pasi siç tha ai me këto që janë në dispozicion situata është e menaxhueshme.

Por shtoi se në 3 javët e fundit numri i pacientëve që kërkojnë hospitalizim është rritur.

“Realisht ne që 3 javë jemi të mbushur me kapacitete, pra kapaciteti i Mjekësisë Sportive është 95 pacientë dhe shumica e atyre shtretërve janë të zënë në përgjithësi kemi pranime, lirime për këtë arsye jemi detyruar ta hapim edhe një qendër tjetër të COVID-it siç është Klinikat Internistike të cilat vetëm janë funksionale që 4-5 ditë kështu që nuk është dalluar kjo javë me javët tjera, por janë të ngjashme…16\03Aktualisht nuk po e shohim të nevojshme për momentin sepse nuk kemi rritje të madhe, klinika që është hapur ajo Interne ka një numër të madh të vendeve të lira dhe lirimet që bëhen në klinikat gjegjëse në atë Infektive, Infektive 2 që jemi ne dhe ajo e Pulomologjisë që bëjmë lirime të vazhdueshme lirojmë kapacitete dhe çdo ditë në orën 14:00 e japim numrin e vendeve të lira dhe në bazë të asaj përcaktohet se a ka nevojë për kapacitete shtesë”, theksoi ai.

Tashmë edhe mjekët dhe infermierët e Kosovës kanë nisur të vaksinohen me dozat e dhuruara nga COVAX të kompanisë prodhuese AstraZeneca. Por përkundër kësaj në Kosovë vazhdojnë të jenë aktiv me koronavirus edhe 89.507 raste nga 422.380 persona të dyshimtë dhe 1858 persona e kanë humbur betejën me COVID.