Gjendja shëndetësore e punëtorit të lënduar nga shpërthimi në KEDS

Punëtori i KEDS-it që u lëndua sot gjatë një shpërthimi në nënstacionin Prishtina 6, është jashtë rrezikut për jetën.

Këtë e bëri të ditur Nerxhivane Halimi, kujdestare në Qendrën Emergjente, në një konferencë për media.

“Rreth orës 13:50 na ka ardhur një pacient me djegie. Pacienti është duke u trajtuar ende dhe po vazhdon trajtimin në Kirurgjinë Plastike. Lëndimet janë serioze, mirëpo është jashtë rrezikut përjetë”, tha mjekja kujdestare.

Për këtë rast kanë njoftuar edhe sot nga KEDS.

Në njoftimin e KED-it thuhet se shpërthimi ka ndodhur në nënstacionin Prishtina 6, gjatë procesit të rregullimit të një prishjeje.

“Gjatë procesit të rregullimit të një prishjeje që furnizon një pjesë të lagjes Ulpiana, ka ndodhur një aksident në nënstacionin Prishtina 6 110/10KV. SI pasojë e këtij aksidenti një punëtor i KEDS është lënduar. Fatmirësisht, sipas informative që kemi marrë nga emergjenca që punëtori ynë është jashtë rrezikut për jetë. Nënstacioni për shkak të këtij aksidenti për momentin është jashtë pune. Ky nënstacion përfshinë daljet që furnizojnë qendrën, Ulpianën dhe një pjesë e Bregut të Diellit, Dardanisë dhe Aktashit. Ekipet tona tanimë janë duke punuar në rregullimin e prishjes dhe energjizimin e nënstacionit”, thuhet në njoftim