Gjendja e policëve të plagosur nga bomba, flet drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës

Shtatë pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë marr trajtim në Spitalin e Mitrovicës së Jugut pas lëndimeve nga aksioni i sotëm kundër kontrabandës.

Luljeta Zhubi, drejtoreshë e spitalit të Mitrovicës së Jugut në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se deri tani shtatë policë kanë pranuar trajtim mjekësor në këtë spital.

Ajo shtoi se tre prej tyre janë nisur për trajtim në Prishtinë pasi kanë marr lëndime nga shpërthimi i bombave.

“Fillimisht kemi pranuar raste me lëndime më të lehta, pastaj disa me lëndime nga shpërthimi i bombave. Prej shtatë policëve, tre prej tyre janë nisur për trajtim në Prishtinë, por nuk janë në gjendje të rëndë”, ka thënë Zhubi.

Ajo potencoi se dy prej policëve kanë marr lëndime në ekstremitete, ndërsa njëri është lënduar pas kokës.

“Në bazë të trajtimit të parë që kemi dhënë, dy prej policëve kanë lëndime në ekstremitete, ndërsa njëri është i lënduar pas kokës”, potencoi Zhubi.