Gjendet vetura me të cilën plaçkitësit e armatosur hynë në Terminalin Doganor

Policia e Kosovës ka gjetur sot veturën me të cilën një ditë më parë persona të armatosur kanë hyrë në Terminalin Doganor në Merdarë për të plaçkitur.

Siç njofton KosovaPress, vetura, e cila është pa targa, është gjetur në fshatin Dobratin të Podujevës.

KP ka siguruar edhe foton e veturës të marrë dje nga kamerat e sigurisë së Terminalit Doganor.

Policia nuk ka arritur që të kap të dyshuarit, ndërsa besohet se kjo veturë është përdorur edhe në disa vjedhje tjera, që janë kryer nën kërcënimin e armeve në rajonin e Podujevës.

Persona të armatosur dje kanë hyrë në objektin e Terminalit Doganor në Merdarë të armatosur me armë të gjata “Kallashnikov” dhe nën kërcënimin e armeve kanë tentuar të plaçkitin, por që sipas zyrtarëve policorë, të dyshuarit nuk kanë arritur të marrin asgjë.