Në këto momente raportohet se është gjetur trupi i pajetë i gjilanasit të dytë që mbet nën rrënojat e një objekti gjatë tërmetit në Durrës.
Ndonëse ende nuk e kanë nxjerrë nga rrënojat, besohet se trupi, të cilit i shihet vetëm njëra dorë, është i Shemsedin Abazit nga Livoçi i Epërm i Gjilanit, pasi në atë pjesë nuk ka pasur njerëz tjerë.
Ndërsa, raportohet se numri i të lënduarve ka shkuar në 650.
Nxirret i gjallë një person nga rrënojat e një ndërtese në Thumanë
Pas orës 20:00 të darkës në Thumanë, Pëllumb Gregu është shpëtuar nga forcat e policisë dhe të ushtrisë, teksa ky moment është shoqëruar me duartrokitje.
“Shqiptarja” raporton se motra e tij po priste në ankth lajme për të vëllain dhe teksa kryeministri Edi Rama shkoi në Thumanë për të parë nga afër situatën, ju hodh e përlotur duke i kërkuar ndihmë për gjetjen e vëllait.
“O shpirt i motrës, o Pëllumb”, shprehej ajo, teksa tashmë ka marrë lajmin e shumëpritur se vëllai i saj është mirë dhe do t’i nënshtrohet trajtimit mjekësor.







