Paris

Gjendet e vdekur nëna dhe katër fëmijët në një banesë në Paris

Një hetim për vrasjen e pesë personave ka nisur në një ndërtesë në verilindje të Parisit, ka raportuar BBC-ja të martën.

Viktimat janë një grua dhe katër fëmijët e saj të moshës nga nëntë muaj deri në 10 vjeç, ka njoftuar prokurori, e autoritetet policore janë në kërkim të burrit 33-vjeçar që dyshohet se është babai i fëmijëve.

Të afërmit e viktimave kanë ngritur alarmin pasi s’kanë marrë asnjë përgjigje nga familja. Prokurori Jean Baptiste-Bladier ka konfirmuar se shërbimet po kryejnë hetimet e nevojshme, ndërsa banesa ku u gjetën viktimat nuk ishte e thyer.

Rajoni i Parisit së fundmi është sfiduar me një seri vrasjesh të fëmijëve.

Në fund të nëntorit, një 41-vjeçar ka thënë se i ka vrarë tri vajzat e tij, 4, 10 dhe 11 vjeçare. Policia i ka gjetur të vrara në shtëpinë e tij në Alfortville, në periferinë juglindore të kryeqytetit të Francës.

Në tetor, një polic i vrau tri vajzat e tij para se ta vriste veten në Vemars.