Gjenden 9 mijë e 800 euro të falsifikuara, arrestohen dy persona

Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës gjatë një operacioni arrestojnë dy persona të dyshuar dhe sekuestrojnë para me ngjyrë që dyshohet se janë të grabitura

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjilan pas një pune operative profesionale në teren ka siguruar informacione se dy persona të dyshuar me iniciale Q.A (1953) dhe SH.B. (1964), merren me falsifikim dhe shpërndarje të parave.

“Hetuesit rajonal për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në PK, në koordinim dhe bashkërendim me prokurorinë kompetente në Gjilan kanë siguruar bazën ligjore për aplikimin e masave të përcaktuara me ligj dhe me datë 27.09.2019, është realizuar një operacion për kapjen e personave të dyshuar (të potencuar më lart me iniciale.)Si rezultat i këtij operacioni policor dy personat e dyshuar është arrit të ndalohen në Suharekë dhe gjatë kontrollimit tek i dyshuari Q.A. (1953), janë gjetur dhe sekuestruar kartëmonedha (196 X 50), ose shuma e përgjithshme 9800 (nëntëmijë e tetëqind) Euro, që dyshohet se janë të zhytura-ngjyrosura dhe supozohet se janë para të grabitura”, bëhet e ditur në komunikatën e policisë.

Si vazhdimësi e operacionit policor janë kryer edhe bastisje në lokacionet e të dyshuarve në Prizren dhe Sallagrazhd, përderisa me urdhër të prokurorit kompetent ndaj dy të arrestuarve është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, për procedura të mëtejme.