ASK

Në tremujorin e parë të këtij vitit janë braktisur katër fëmijë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se gjatë tremujorit të parë të vitit 2021 janë braktisur katër fëmijë.

Kështu bëhet e ditur në raportin “Statistikat e Mirëqenies Sociale” për tremujorin e parë të vitit 2021, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Sipas rezultateve të dala nga ky raport rezulton se gjatë periudhës TM1 2021, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 26 298 familje me gjithsej 105 296 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 405 familje.

Ndërkaq, nga skemat pensionale rezulton se nga skema e pensioneve bazë të moshës janë 142 092 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 49 165 përfitues; nga skema për pensionet familjare janë 3 700 përfitues; nga skema për pensionet invalidore janë 81 përfitues; nga skema për pensionet e Trepçës janë 2 272 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 1 187 përfitues; nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 590 përfitues.

Nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 844 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 19 271 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 2 697 përfitues; nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 487 përfitues; nga skema për veteranët e luftës janë 38 280 përfitues dhe nga skema e viktimave civile janë 902 përfitues.