Gjatë 6 muajve të parë janë shpenzuar 39.7 miliardë dollarë në aplikacione për smartphone

Afro 40 miliardë dollarë janë shpenzuar në aplikacione për telefona mobilë gjatë gjysmës së parë të vitit 2019. Këto statistika na i ka mundësuar Sensor Tower, që në hulumtim ka përfshirë edhe Apple App Store dhe Google Play Store downloadimet e aplikacioneve.

Rezultati paraqet një rritje prej 15 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që sugjeron që shpenzimi i parave në aplikacione gjatë tërë vitit do të jetë rekord.

Vetëm shfrytëzuesit e iOS për aplikacione në App Store kanë shpenzuar 25.5 miliardë dollarë, që paraqet një rritje prej 13 për qind në krahasim me gjysmën e parë të vitit 2018. Në anën tjetër, shfrytëzuesit e Androidit në Google Play Store kanë shpenzuar 14.2 miliardë dollarë, që është 20 për qind më shumë se vitin e kaluar.

Aplikacionet që kanë fituar më së shumti janë nga sektori i gamingut ndërsa kanë sjellë një fitim prej 29.6 miliardë dollarësh, shkruan KOHA Ditore. Mes tyre i pari është Arena of Valor nga Tencent (njihet edhe si Honor of Kings), ndërsa pasojnë Fate/Grand Order dhe Monster Strike.

Kur bëhet fjalë për aplikacionet që nuk janë nga segmenti i gamingut, në Tinder janë shpenzuar më së shumti (497 milionë dollarë), ndërsa pasojnë Netflix dhe Tencent Video.

Sa i përket downloadimit të gjithëmbarshëm të aplikacioneve, gjysma e parë e vitit ka pasur rritje prej 11 për qind edhe përkundër faktit që downloadimi i aplikacioneve iOS ka shënuar rënie. Gjithsej janë downloaduar 56,7 miliardë aplikacione, ku nga platforma Android janë downloaduar afërsisht 42 miliardë.

Aplikacionet që janë downloaduar më së shumti për iOS dhe Android janë edhe më tutje WhatsApp, Messenger dhe Facebook, ndërsa pasojnë TikTok dhe Instagram.

loading…