Gjashtë orë zgjat operimi i Gucatit, familjarëve s’u lejohet t’i qëndrojnë pranë

Ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, i cili është duke qëndruar në paraburgim si masë e caktuar nga Dhomat e Specializuara, sot është operuar dhe familjarëve të tij nuk iu është lejuar që t’i qëndrojnë atij pranë.

Djali i tij, Musli Gucati, në një intervistë për emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë se megjithëse ata kanë paraqitur kërkesën për t’i qëndruar pranë atij gjatë operimit, një kërkesë e tillë është refuzuar nga Specialja.

“Nuk na kanë pranuar kërkesën për vizitë sepse kemi dashur të shkojmë të paktën sot me qenë pranë tij kur është kryer operacioni”.

Musliu ka treguar se babai i tij është dashur të operohet për shkak të plagëve që ka marrë gjatë luftës në këmbën e djathë”.

“Ka pasur disa komplikime tjera ndërkohë, është dashur patjetër që të operohet. Sa i përket përkujdesjes mjekësore, ne e dimë që nuk i mungon, por është shumë me rëndësi me iu gjend dikush prej familjes pranë”.

“Ai pak para se të arrestohej ka pasur t’i nënshtrohej disa kontrolleve dhe pastaj t’i nënshtrohej operimit. Ai është dashur moti që ta kryejë këtë operim”.