Gjilan

Gjashtë nga dhjetë të punësuarit në Gjilan të lidhur me LDK’në dhe Lutfi Hazirin

Bleranda Hasani – Qamili, kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së në Malishevë, Halil Halili, djali i shoferit të Komunës së Gjilanit dhe mbështetës i LDK-së, Avni Haziri, familjar i kryetarit të Komunës së Gjilanit, Mustafë Mustafa dhe Hyrije Ibrahimi, mbështetës të LDK-së në Gjilan, Labinota Zylfiu, mbesa e infermieres kryesore të QKMF-së në Gjilan, janë gjashtë infermierët dhe teknikët laborant e përzgjedhur sipas konkursit të 9 gushtit 2018.

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Gjilanit në gusht kishte publikuar konkursin për 3 doktorë, 5 infermierë, 2 teknik laborant dhe 1 teknik i stomatologjisë për nevoja të shëndetësisë primare (QKMF).

Kandidatët i janë nënshtruar testit me shkrim më 6 shtator 2018 dhe pas publikimit të rezultateve të testit me shkrim, kandidatët që kanë grumbulluar më shumë se 50 pikë, janë intervistuar nga Komisioni me 24 shtator.

Pas publikimit të rezultateve me kandidatët e përzgjedhur për 11 vende të punës në QKMF në Gjilan kanë filluar ankesat për punësimet politike dhe familjare në këtë konkurs të shpallur nga Drejtoria e Shëndetësisë.

Punësimet partiake dhe familjare në QKMF

Bleranda Hasani – Qamili, kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së në Malishevë është njëra nga kandidatet e përzgjedhura për pozitën e infermieres në QKMF pasi është radhitur e para në listën e të pranuar.

Nga ky konkurs është punësuar edhe Halil Halili, djali i shoferit të Komunës së Gjilanit, Qahil Halili i cili po ashtu në llogarinë e tij në Facebook ka të publikuara fotografi ku shihet mbështetja e tij për LDK-në.

Në njërën nga pozitat e infermierëve në QKMF është pranuar edhe Avni Haziri, familjar i kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Nga konkursi i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, në dy pozitat për teknik laborant në QKMF janë pranuar Mustafë Mustafa dhe Hyrije Ibrahimit të cilët po ashtu janë përkrahës të LDK-së. Edhe në profilet e tyre në rrjetin social Facebook janë të publikuara fotografi me anëtarë të LDK-së dhe fotografi nga tubime të LDK-së në Gjilan në përkrahje të kryetarit Haziri.

Në këtë konkurs në pozitën e infermieres është pranuar edhe Labinota Zylfiu, mbesa e infermieres kryesore në QKMF në Gjilan, Lutfije Ilijazit.

Gazeta JnK ka kontaktuar me Ilijazin, e cila ka thënë se nuk ka pasur ndonjë ndikim në punësimin e mbesës së saj.

“Jo për besë, ajo qe 18 vjet pret për punë, unë qe 40 vite që punoj, asnjë të punësuar nuk e kam në QKMF”, ka treguar Ilijazi.

Nënkryetari i Gjilanit nuk e pranon ndikimin politik në konkurs

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka thënë për Gazetën JnK se në këtë konkurs nuk ka pasur ndonjë parregullsi dhe se ata nuk kanë ndikuar në përzgjedhjen e kandidatëve.

“Absolutisht jo, unë të kisha sugjeruar me marrë në intervistë edhe anëtarët e komisionit edhe me i pyetur edhe ata veç e veç nëse ka pasë ndonjë ndikim prej neve si zyrtarë të lartë të Komunës në përzgjedhjen e ndonjë kandidati të mundshëm”, thotë Ismajli.
Gazeta JnK e ka pyetur Ismajlin për secilin nga personat të cilat kanë lidhje familjare me kryetarin Lutfi Haziri, që janë të punësuar në QKMF, që punojnë në Komunën e Gjilanit apo janë anëtarë apo mbështetës të LDK-së.

Nënkryetari Ismajli e ka pranuar që e njeh Halil Halilin, tashmë të pranuar si infermier në QKMF me konkursin e fundit.

“E njoh, po … Qahili (babai i Halilit) është shofer i Komunës së Gjilanit”, ka rrëfyer Ismajli.

Ndërsa për Avni Hazirin, familjarin e kryetarit Haziri, nënkryetari i Komunës së Gjilanit ka deklaruar se ai mund të jetë njëri nga kandidatët e përzgjedhur në konkursin e fundit të hapur nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

“Nuk e di, nuk kam informatë, mundet me qenë, nëse komisioni ka menduar ashtu edhe e ka vlerësuar, mundet me qenë”, është shprehur Ismajli.

Edhe pse Bleranda Hasani – Qamili është kryetare e Forumit të Gruas së LDK-së në Malishevë, Arbër Ismajli ka thënë se e di që është pranuar por nuk e njeh.

“Për dallim prej Halilit, Blerandën nuk po e njoh  .. nuk po e njoh sinqerisht po të them … e di që është pranuar por po të them që nuk e njoh Blerandën”, ka thënë ai.

Ndërsa për dy teknik laborantët e pranuar nga ky konkurs, mbështetës të LDK-së, Mustafë Mustafa dhe Hyrije Ibrahimi, nënkryetari Ismajli është përgjigjur duke thënë se LDK është parti e madhe dhe të pranuarit mund të qëllojnë të jenë edhe anëtarë të saj.
“LDK është parti e madhe edhe munde të qëlloj që kanë qenë anëtarë të LDK-së, edhe që nuk kanë qenë anëtarë të LDK-së”, tha Ismajli.

Arbër Ismajli, nënkryetari i Komunës së Gjilanit ka premtuar se në rast se ka ndodhur ndonjë parregullsi eventuale ose ndonjë shkelje do të vendoset ashtu siç është më së miri rreth konkursit.

Kandidatët me mbi 10 vjet përvojë pune, jashtë listës së të pranuarve

Me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për këto pozita nuk po pajtohen punëtorët shëndetësorë që kanë më shumë se 10 vjet përvojë pune. Disa prej tyre kanë punuar rreth 10 vjet në QKMF-në dhe QMF-të e Gjilanit, si zëvendësime apo edhe si të punësuar me kontrata të përkohshme me Caritas Kosova, e cila për vite me radhë ka bërë marrëveshje me Komunën e Gjilanit.

Si rezultat i përfundimit të marrëveshjes mes Caritas Kosova dhe Komunës së Gjilanit, rreth 60 punëtorë shëndetësorë, ndër ta mjekë e infermierë mbetën të papunë në fund të muajit prill të këtij viti.

Ankuesit thonë se shumica e kandidatëve të pranuar në këtë konkurs kanë lidhje ose janë anëtarë të LDK-së në Gjilan.

Sabri Arifi, i cili kishte aplikuar për pozitën e infermierit në QKMF thotë se edhe pse ka 12 vjet përvojë pune, nuk ka qenë njëri nga të përzgjedhurit për pozitën e infermierit.
“I kam mbi 12 vjet përvojë pune… kam punuar në QKMF, në QMF “Ramiz Cernica”, dhe së fundi në shërbimin e ndihmës së shpejtë në Gjilan” , shprehet Arifi.

Ai deklaroi për Gazetën JnK se shumica e kandidatëve të pranuar në konkursin e fundit të hapur nga Drejtoria e Shëndetësisë kanë lidhje me LDK-në.

“Shumica e anëtarëve janë të LDK-së që janë pranuar në këtë listën e fundit”, tha Arifi.
Edhe Muhabere Mushica e cila ka punuar tash e 15 vjet në pozitën e infermieres tha për Gazetën JnK se asnjë nga punëtorët me shumë vjet përvojë pune nuk janë pranuar në këtë konkurs.

“Tash doli konkursi, kemi shpresuar shumë por ne nuk jemi në listë, asnjë nga kolegët e mi që jemi punëtorë më të vjetër (nuk janë në listë), janë pranuar punëtorët e rinj, është e drejtë edhe e atyre të punojnë por ne kemi mbetur shumë keq”, tregon Mushica.
Edhe ajo e potencoi se shumë prej kandidatëve të pranuar kanë lidhje me LDK-në.
Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Gjilanit i cili vjen nga radhët e AAK-së, Selami Xhemaili ka deklaruar se të gjitha afatet ligjore janë respektuar në këtë konkurs.

“Janë respektuar të gjitha afatet ligjore rreth publikimit e aplikimit, afati i mbajtjes së testit me shkrim, publikimi i rezultateve të testit me shkrim, intervistat me gojë dhe tani pasi që i ka publikuar vendimet komisioni përzgjedhës është afati tetë ditor për ankesat eventuale”, tha Xhemaili për Gazetën JnK.

I pyetur nëse ka pasur ndikime politike në këtë konkurs, Xhemaili u shpreh se nuk ka pyetur se cilit subjekt i përkasin kandidatët e përzgjedhur.

“Unë vij nga radhët e AAK-së  dhe të them drejtën edhe stafin me të cilin punoj nuk i kam pyetur se cilit subjekt i përkasin, për arsye se jemi për me kry punë në institucionin ku punojmë dhe këto përkatësitë partiake duhet me qenë jashtë kombinimeve në përzgjedhjen e kandidatëve”, përfundoi Xhemaili./Gazeta JnK