Gjashtë muaj pa insulina në Kosovë

Po bëhen gjashtë muaj që kur qytetarët e Kosovës të cilët janë të prekur me diabet po përballen me mungesë të insulinave nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Kjo gjë ka bërë që qytetarët të mbesin me shpresën që Ministria e Shëndetësisë do ta zgjidh një problem të tillë.

Idriz Ethemi nga Shoqata e të sëmurëve me diabet në Pejë, ka thënë se kjo është një situatë e rëndë e sidomos për pacientët që janë të varur nga insulina.

“Po hyjmë në muajin e gjashtë me mungesë të insulinës në Qendrat e Mjekësisë Familjare, insulina të cilat vijnë nga Ministria”, tha Ethemi.

“Kemi shqetësime të mëdha, sa i përket pacientit së pari për mungesën e insulinës, e dyta është gjendja ekonomike e pacientëve dhe e treta furnizimi me insulina nëpër barnatore që nuk nënkupton që e kanë prejardhjen e dyshimtë por janë me prejardhje jo të sigurte për pacientin, Insulina duhet të sjellët nëpër frigorifer e jo nëpër torba ose me posta të shpejta qysh i sjellin”, u shpreh Ethemi.

Më tej ish-kryetari i Shoqatës Kombëtare të Diabetit në Kosovë, bëri të ditur se çmimi i insulinave atyre që nuk janë në listë esenciale, sillet nga 3.50 deri në 7 euro nëpër barnatore.

Ethemi tutje shtoi se për problemin e mungesës së insulinave i janë drejtuar edhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe drejtorëve në Prokurim mirëpo nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Sipas informatave që kemi marrë persona të caktuar që shkojnë për insulina në ministri, ua kanë dhënë vetëm 50 kutia insulina të cilat kanë refuzuar mi marr, sepse po ta shikojmë vetëm Peja i ka rreth 1600 pacientë që marrin insulinën e që janë të prekur me diabet, prej tyre numri i fëmijëve të prekur sillet nga 35 deri në 50, por fatmirësisht për ta Shoqata e të sëmurëve me diabet në Pejë, ua siguron insulinën me ndihmën e shoqatës dhe Kuvendit Komunal në Pejë, falë fondit që ndan kryetari Muhaxheri për blerjen e insulinave për fëmijë”, u shpreh Ethemi për Telegrafin.

Ethemi shtoi se në nivel vendi janë afro 30 mijë qytetarë që janë të prekur me diabet.

“Pasi kam qenë edhe kryetar i Shoqatës Kombëtare të Diabetit të Kosovës, numri i pacientëve të prekur me diabet në tërë Kosovën sillet nga 26 deri në 28 mijë pacientë të cilët varen nga insulina dhe lista esenciale”, u shpreh Ethemi.