Gjashtë institucione do i verifikojnë kandidatët për deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se verifikimi dhe certifikimi i kandidatëve për deputetë do bëhet përmes disa filtrave të caktuar, duke kaluar në një varg institucionesh.

Zëdhënësi Valmir Elezi ka thënë se KQZ-ja do bëjë verifikimin e kandidatëve nëse janë në përputhje me nenin e 29-t të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme.

“Me qëllim të zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bashkëpunojë me disa institucione të cilat kanë rolin e tyre gjatë zhvillimit të periudhës së aplikimit/certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Në këtë drejtim, KQZ-ja do të dërgojë kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Ministri të Jashtme dhe Ministri të Mbrojtjes, për verifikim të kandidatëve sipas nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, ka thënë Elezi për Ekonomia Online.

Sipas KQZ-së, afati për aplikim për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit është data 16 janar dhe deri në orën 18:00, ky institucion do të pranojë aplikimet, ndryshe nga herët e kaluara kur ky afat përmbyllej në mesnatë. Pra, deri në këtë subjektet politike duhet të sjellin edhe listat e kandidatëve për deputetë.

Zëdhënësi i KQZ-së, ka bërë të ditur se sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-ja, gjashtë institucionet e lartpërmendura duhet të përgjigjen në kërkesën e KQZ-së deri më datë 20 janar.