“Unë di edhe ndryshe, di edhe me kanun”, Vali Corleone kërcënon prokurorin

Shtëpia e Vali Corleone u bastis sot nën dyshimet për “pastrim të parave”. Policia ka konfirmuar se ky operacion u realizua pasi Corleone përmes rrjetit social “Tik-Tok” ka prezantuar për publikun para me ngjyrë të cilat dyshohet të jenë përfituar nga kryerja e veprave penale të ndryshme.

Lidhur me këtë bastisje, është deklaruar edhe Vali Corleone.

Ai ka thënë se kjo ka ndodhur për shkaqe xhelozie dhe se posedon deri 1 milion euro cash.

“Njerëzit që më duan të mos shqetësohen sepse kjo nuk është e para herë që më vijnë në kontroll policia në shtëpitë e mija, por ky është ritëm i njëjtë 20-vjeçar. Ky ritëm i njejtë 20-vjeçar që më vijnë në kontroll policia pa asnjë arsye dhe fakt, kësaj here do të jetë më ndryshe, sepse ai prokuror i cili ka nënshkrua për me ardh te shtëpia ime për kontroll pa i shiku gjërat dhe elementet si janë real, ai prokuror do të dal para gjykatës, do e dërgojmë nëse është nevoja edhe në Gjykata të Evropës sepse më kanë thënë 100 mijë euro janë publiku në “TikTok” cash, por unë posedoj nga historia e bankës që posedoj deri në 1 milionë euro cash, me fakte. Është xhelozi e madhe që është duke u krijuar nga disa persona dhe një linjë, po ashtu më kanë shqetësuar mua dhe familjen time dhe tani familja është duke e bërë një kontroll te psikiatri nga nervoza dhe trauma që ua kanë shkaktuar kontrolla e Policsë, gjithashtu dhe unë do të mbledh gjithë historiatinë e bankës, elementet e psikiatrisë, gjërat e tjera dhe do të paditet në gjykatën më të lartë. Unë jam Kingi që 20 vjet shikojnë xhelozat mem rrëzu, por nuk kanë shans kurrë me arrit këtë në planetin Tokë – se une di edhe ndryshe, di edhe me kanun, faleminderit të gjithëve”, u shpreh Vali Corleone për Express.

Policia ka njoftuar se gjatë kontrollit është arritur të sekuestrohen disa kontrata noteriale në lidhje me shitblerjen e disa lokaleve dhe pronave  si dhe një telefon celular.

“I dyshuari nuk është hasur në shtëpi, dyshohet të jete në Republikën e Maqedonisë Veriore”, ka thënë policia.